Maqedonia e Veriut identifikon 116 persona të ri-infektuar me COVID-19

Nga Exit News
Maqedonia e Veriut identifikon 116 persona të ri-infektuar me COVID-19

Maqedonia e Veriut ka identifikuar 116 persona të riinfektuar me koronavirusin e ri, dy prej të cilëve kanë humbur jetën, raporton Radio Europa e Lirë.

Të dhënat janë publikuar nga Instituti i Shëndetit Publik, ndërkohë që i përkasin periudhave të ndryshme kohore.

Institucionet thonë se rastet me këta persona janë të verifikuar nga organet përkatëse, për të shmangur mundësinë e gabimeve gjatë infektimit të tyre të parë.

Te ne deri më tani, bazuar në të dhënat e ditës së martë, janë regjistruar 116 persona të riinfektuar me COVID-19 si dhe dy persona të vdekur, pra persona që më herët ishin diagnostikuar me koronavirus, që e kishin kaluar sëmundjen, por që ndërruan jetë pas infektimit të dytë. Ne po e përcjellim situatën me këto raste, por e them se riinfektimi është i mundur dhe kjo është dëshmuar edhe në suaza botërore. Bëhet fjalë për një numër të vogël apo 0.001 për qind nga numri i përgjithshëm i personave që kanë qenë të infektuar me koronavirusin e ri”, deklaroi kryetari i Komisionit për Sëmundje Infektive, Zharko Karxhoski.

Rastet e riinfektimit me koronavirus rrisin shqetësimet për imunitetin.Ai tha se analizat e bëra janë të besueshme dhe se riinfektimi i këtyre personave ka ardhur para se gjithash nga mosrespektimi i masave mbrojtëse dhe perceptimi i gabuar se më nuk mund të ri-infektohen.

Duke menduar se më nuk do të infektohen, ata nuk kanë respektuar masat dhe kanë pasur kontakte me persona të infektuar, me siguri me variantin britanik të koronavirusit. Karakteristikë e këtij lloji të virusit është se përhapet më shpejt, në masën e 50 apo 70 për qind,” është shprehur Karxhoski.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, ka thënë se institucionet po ndjekin gjendjen epidemiologjike dhe në fillim të javës së ardhshme do të vendoset nëse do të ketë masa të reja shtrënguese.

Dua të përcjell mesazhin për të gjithë qytetarët se pandemia ende është e pranishme dhe se masat mbrojtëse duhet t’i respektojmë. Edhe shtetet të cilat kanë avancuar shumë me vaksinimin e popullatës po përballen me valë të madhe të infektimeve andaj edhe ne duhet të jemi kujdesshëm që të parandalojmë përhapjen e virusit”, ka deklaruar Filipçe.

Maqedonia e Veriut në dy javët e fundit ka shënuar rritjen më të madh të të infektuarve që nga muaji dhjetor i vitit të kaluar.

Të hënën dhe të martën numri i të infektuarve ka arritur në mbi njëmijë persona.

Që nga fillimi i pandemisë, me sëmundjen COVID-19 janë diagnostikuar rreth 114 mijë persona, prej tyre mbi 3 mijë persona kanë humbur jetën, rreth 98 mijë janë shëruar dhe 12 mijë raste janë ende aktive.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>