Maqedonia e Veriut ka identifikuar 4 persona me variantin Delta

Maqedonia e Veriut ka identifikuar 4 persona me variantin Delta

Maqedonia e Veriut ka identifikuar deri të martën gjithsej 4 persona të infektuar me variantin Delta të koronavirusit, një muaj pas identifikimit të rastit të parë.

Sipas ministri të Shëndetësisë, Venko Filipçe, cituar nga Radio Evropa e Lirë, asnjë nga të infektuarit nuk ka qenë i vaksinuar.

“Analizat që janë bërë në Institutin e Shëndetit Publik dhe në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë përjashtojnë variantin britanik. Pra, kudo që ekzaminimi tregon se nuk është një variant britanik, atëherë bëhen analiza shtesë, për të parë nëse është varianti Delta i koronavirusit,”deklaroi Filipçe.

Ai shtoi se vendi do të koordinohej me shtetet fqinje për masa eventuale kufizuese, por se parashikimi ishte që këtë verë nuk do të kishte zbatim kufizimesh.

Filipçe e justifikoi vendimin me faktin se situata epidemiologjike në rajon, pavarësiht masave ishte pak a shumë njëlloj.

Gjendja epidemiologjike në Maqedoni paraqitej e qëndrueshme, sipas tij.

“Situata është mjaft e qetë. Po monitorojmë situatën edhe në vendet përreth. Gjatë gjithë periudhës, pavarësisht nga masat e ndryshme kufizuese në vende, kthesat epidemiologjike ishin mjaft të ngjashme. Në këtë kuadër, është paqe kudo në rajon, si në Serbi ashtu edhe në Shqipëri,” tha ai.

Vetëm njëri nga katër personat e infektuar me variatin Delta ka patur vështirësi në frymëmarrje, ndërkohë që të tjerët janë në gjendje më të mirë.

Ministri i Shëndetësisë ka bërë thirrje për vaksinimin e popullatës, si mundësi e vetme për normalizimin e gjendjes.

Maqedonia ka vaksinuar plotësisht 227 mijë persona, ndërkohë që 538 mijë persona kanë marr të paktën një dozë. Vendi regjistroi së fundmi 130 raste aktive.

Varianti Delta është një nga variantet më ngjitëse të koronavirusit dhe vendet janë në alarm për të gjurmuar e parandaluar qysh në rastet e para, nga frika e një vale të re infektimesh.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>