
Maqedonia e Veriut nënshkroi të hënën marrëveshje me kompaninë kineze Sinopharm për furnizimin me 200 mijë doza vaksinash kundër Covid-19.
Marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe dhe përfaqësuesi i kompanisë Sinopharm.
Nuk e dihet ende se kur do të mbërrijnë në Maqedoni vaksinat.
Më herët, Ministri Filipçe, njoftoi se Maqedonia e Veriut mund të marrë vaksinat e kompanisë AstraZeneca.
“Mekanizmi COVAX, përmes një njoftimi me shkrim na ka informuar se vaksina e parë që do të mbërrijë në vendin tonë përmes këtij mekanizmi është AstraZeneca. Dorëzimi i 35% të 175.200 dozave të planifikuara të kësaj vaksine do të arrijnë në muajin mars kurse pjesa tjetër nga mesi i vitit”, tha ai.
Ministri Filipçe njoftoi se janë bërë gati lista me emrat e qytetarëve, të cilët do të vaksinohen të parët.
Autoritetet shëndetësore kanë rekomanduar vaksinimin e personave që janë infektuar pavarësisht nëse kanë antitrupa.
Maqedonia e Veriut nuk e ka nisur ende vaksinimin anti-Covid.
Ajo ka arritur një marrëveshje me kompaninë Pfizer për 800 mijë doza vaksinash, të vlefshme për 400 mijë qytetarë. Dozat e para pritet të dorëzohen në shkurt, por me vonesat e lajmëruara nga Pfizer, nuk dihet nëse do të arrihet dorëzimi në kohë i vaksinave.
Maqedonia e Veriut ka arritur marrëveshje dhe me Serbinë për 8 mijë doza vaksine të Pfizerit, por as ato nuk janë dorëzuar ende.