Më shumë se 50 persona kanë humbur jetën dhe më shumë se 200 të tjerë janë plagosur pas një sulmi me armë në një koncert në Las Vegas.
Rreth orës 22:30, autori i sulmit, Stephen Paddock, 64 vjeç, hapi zjarr nga kati i 32-të i hotelit “Mandalay Bay” mbi qytetarët që po ndiqnin një koncert muzikor në ambient të hapur. Sipas përllogaritjeve, mendohet se të pranishëm në koncert kanë qenë më shumë se 40 mijë qytetarë.
Ky është sulmi me më shumë viktima në vitet e fundit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Policia lokale njoftoi se autori i sulmit u vra menjëherë sapo u lokalizua nga policia se nga cila dhomë e hotelit po vinin plumbat.
“Tani për tani besojmë se ishte një akt solo, i veçuar dhe jo një sulm i mirëkoordinuar në grup. Jemi të sigurtë se nuk ka më kërcënim”, u shpreh komisari i policisë metropolitane në Las Vegas, Joe Lombardo.
Policia tha se kanë arrituar të gjejnë një grua, të identifikuar si Marilou Danley, e cila besohet se po udhëtonte me Paddock dhe jeton në të njëjtën shtëpi si autori në Mesquite, rreth 80 milje në verilindje të Las Vegas.