Të paktën 100 persona kanë humbur jetën dhe mbi 4 mijë të tjerë janë plagosur në shpërthimin e 4 gushtit pranë portit të Beirutut, kryeqytetin e Libanit.
“Ajo që ne po shohim është një katastrofë e madhe,” tha kreu i Kryqit të Kuq të Libanit George Kettani për mediat lokale. “Ka viktima dhe të plagosur kudo”.
“Mbi 100 persona kanë humbur jetën e tyre. Ekipet tona janë ende duke zhvilluar operacione kërkimi dhe shpëtimi në zonat përreth,” shtoi Kryqi i Kuq i Libanit në një deklaratë zyrtare.
Shkaqet e shpërthimit dhe mënyra e nisjes së zjarrit nuk janë zbuluar ende.
Presidenti Michel Aoun tha se 2,750 ton nitrat ruheshin në mënyrë të pasigurtë në një depo për gjashtë vjet.
Nitrati i amonit ishte shkarkuar nga një anije e ndaluar në port në 2013, dhe më pas ishte ruajtur në depo.
Ai caktoi një takim urgjent të kabinetit për të mërkurën dhe tha se do të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme dy-javore dhe periudhën e zisë për tre ditë nga e mërkura.
Qeveria do të lëshojë rreth 66 milion dollarë fonde të urgjencës për të përballuar situatën.
Shpërthimi vjen në një kohë të ndjeshme për Libanin, teksa përballet me krizën ekonomike dhe me krizën koronavirus. Tensionet janë gjithashtu të larta përpara verdiktit të së Premtes në një gjyq për vrasjen e ish-kryeministrit Rafik Hariri në 2005.