934 tenda dimërore nevojiten për strehimin e familjeve të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit. Këtë vlerësim e ka bërë Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare.
Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, mbi 7 mijë persona nga 12,181 persona të pastrehë jetojnë në tenda. Zonat më të prekura janë Durrësi, Kruja, Tirana dhe Lezha.
Exit.al ka hulumtuar dhe ka gjetur se kosto e një tende standarte për strehimin e familjeve në rast të fatkeqësive natyrore me madhësi 24m², 48m² dhe 72m² varion nga 1100 deri në 2300 dollarë.
Një tendë dimërore kushton nga 2250 deri në 3800 dollarë, nëse në tende përfshihet edhe një dysheme e fortë, atëherë çmimi i saj do të variojë nga 3250 deri në 6800 dollarë.
Sipas këtyre çmimeve, qeveria duhet të shpenzojë nga 3 milionë deri në rreth 6 milionë dollarë për blerjen e 934 tendave të nevojshme.
Gjithashtu, banorët e prekur nga tërmeti në zonën e Mamurrasit dhe Fushë-Mamurrasit u shprehën për Exit.al se më shumë se 300 familje në zonat përreth jetojnë në tenda verore.