
Prokuroria e Krimeve të Rënda përfundoi hetimet në lidhje me Saimir Tahirin. Ditën e sotme ajo ka dërguar dosjen për ish-Ministrin e Brendshëm Saimir Tahirin në Gjykatën e Krimeve të Rënda.
Gjykata e Krimeve të Rënda pak kohë më parë pranoi kërkesën e ish-Ministrit për moszgjatjen e hetimeve duke i lënë afat prokurorëve për t’i përfunduar ato deri më 10 Mars. Afati i caktuar nga gjykata, i jep mundësinë prokurorisë t’i mbyllë hetimet, përpara se hetimi t’i kalojë Prokurorisë Speciale (SPAK), formimi i së cilës do të marrë kohë për shkak të shqyrtimit të dosjeve të kandidatëve dhe procesit të vetingut.
Në janar e Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi zgjatje të afatit të hetimit me tre muaj për të katërten herë për Saimir Tahirin për shkak të një letërporosie nga Mali i Zi.
Seanca për Saimir Tahirin do të mbahet ditën e nesërme në orën 13.00.