Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu deklaroi të martën mbylljen e pavioneve Covid në spitalet rajonale të Elbasanit, Durrësit dhe Shkodrës, për shkak të numrave të ulët të shtrimeve.
Planifikohet që rastet e paraqitura në këto spitale të referohen në spitalin Covid-1 në Tiranë.
“Ne sot jemi në një situatë shumë të kontrolluar epidemiologjike, ku fakti që jemi duke mbyllur pavionet në spitalet rajonale dhe jemi duke vlerësuar edhe mundësinë për të përqëndruar rastet e pacientëve në një spital të vetëm,” u shpreh Manastirliu.
Ajo shtoi se me rënien e numrave të infektimeve dhe shtrimeve në spitale, do të vlerësohet edhe lehtësimi i masave aktuale.
“Besojmë që brenda dy ditëve të ardhshme do të kemi një mbledhje të Komitetit Teknik të Ekspertëve, të cilët janë duke shqyrtuar masat. Po mendohet një rivlerësim në kuadër të lehtësimit, por do të jetë gjithmonë një rihapje e kontrolluar, graduale,” tha Manastirliu.