Operacioni Forca e Ligjit është mbyllur me një bilanc prej 11 pasurish të konfiskuara, shumica e të cilave janë automjete.
Prej 1 Janarit të 2021, OFL nuk do të kërkojë më llogari për burimin e pasurisë së personave me të shkuar kriminale, pasi akti normativ mbi të cilin ajo funksiononte nuk iu zgjat afati.
Gjatë një viti që ishte në fuqi, OFL ka evidentuar 1550 pasuri të 589 personave që kanë plotësuar formularin e kërkuar, sipas shifrave të raportuara nga TV Klan.
Vetëm 11 pasuri janë konfiskuar nga 45 që ka kërkuar SPAK.
Hetimi pasuror tashmë do të vijojë në bazë të ligjit antimafia, megjithatë, çështjet që janë dërguar në SPAK nga OFL dhe ende nuk janë shqyrtuar do të vijojnë të hetohen gjatë këtij viti.
Deri tani në gjykatën e Posaçme, prokuroria ka dorëzuar 120 çështje që pritet të shqyrtohen gjatë këtij viti. Janë në fazë shqyrtimi edhe 56 kërkesa të tjera për konfiskim pasurie.
Gjykata ka hequr sekuestron për të paktën 9 pasuri, pasi nga verifikimet ka rezultuar se janë krijuar në mënyrë të ligjshme dhe jo nga të ardhura që rrjedhin nga aktivitetit kriminal. Ndër to kujtojmë se ishin edhe licensa e tregëtimit të naftës dhe automjetet e Lulzim Berishës.
Disa javë më vonë ai u shpall në kërkim për disa vrasje të ndodhura në vitin 2005 por ende nuk është kapur.