Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSH) Tedros Adhanom Ghebreyesus u lut të enjten për bashkim ndërkombëtar për të luftuar koronavirusin, pas lajmërimit të Presidentit Trump për tu larguar nga organizata.
Me lot në sy, Tedros tha se armiku i vërtetë nuk ishte vetë virusi por “mungesa e udhëheqjes dhe solidaritetit në nivel global dhe në nivel kombëtar”.
“Sa e vështirë është që njerëzit të bashkohen për të luftuar një armik të përbashkët që po vret njerëz pa dallim?” pyeti ai në një konferencë në Gjenevë. “A nuk mund ta kuptojmë se ndarjet ose përçarjet midis nesh në të vërtetë janë në dobi të virusit?”
Tedros tha se në pjesën më të madhe të botës, “virusi nuk është nën kontroll; po përkeqësohet “. Ai theksoi se sistemet shëndetësore të disa prej vendeve më të pasura në botë janë përmirësuar, ndërsa disa vende me sisteme shëndetësore modeste kanë pasur sukses në ngadalësimin e përhapjes së virusit.
Kjo pandemi, që ndodh një herë në shekull na ka mësuar se: Kur bëhet fjalë për shëndetin, fatet tona janë gërshetuar”, tha ai.
Të mërkurën, administrata Trump filloi procesin e tërheqjes së ShBA-ve, donatori më i madh i organizatës – nga OBSH. Masa është vendosur të hyjë në fuqi brenda një viti.
Më shumë se 200 shkencëtarë nga mbi 30 shtete i kanë kërkuar OBSh-së të shqyrtojë mundësinë që virusi transmetohet përmes ajrit.
“Ne jemi të hapur për këtë provë të re si dhe të kuptojmë ndikimin e saj në lidhje me mënyrat e transmetimit dhe gjithashtu masat paraprake që duhet të merren,” tha Benedetta Allegranzi, specialiste në sëmundjet infektive dhe koordinatore në OBSH.
OBSH është kritikuar edhe për trajtimin e butë të Kinës, epiqendra fillestare e pandemisë, veçanërisht në lidhje me transparencën e informacionit të publikuar nga Pekini në fillimin e shpërthimit.
Në konferencat e rregullta në Gjenevë, Tedros dhe zyrtarë të tjerë të OBSH-së kanë theksuar se organizata ka disa kompetenca të vetat dhe ajo mbështetet në bashkëpunimin e shteteve anëtare të saj.
Publikuar në Washington Post/Përshtatur nga Exit News