Pasi, gjithë verën, mbajti nën tension Kuvendin nën kërcënimin e rrëzimit të qeverisë Rama, Ilir Meta e kaloi gjithë vjeshtën duke kërcyer vals politik, i cili e detyroi të marrë vendime të paparashikueshme edhe për ligje të cilat i ka votuar vetë më parë.
Deklaratat e vazhdueshme të drejtuesve socialistë duket se duan ta detyrojnë Ilir Metën të pohojë një herë e mirë nëse do të jetë ose jo pjesë e koalicionit me PS në zgjedhjet e ardhshme. Por sa herë që propaganda socialiste flet për qëndrueshmëri të koalicionit me Ilir Metën, të nesërmen në publik shfaqen Petrit Vasili apo Luan Rama me deklarata që i turbullojnë sërish ujrat. Dhe elektorati nuk kupton më asgjë.
Gjatë zgjedhjeve vendore në Dibër, të gjithë prisnin një qëndrim të qartë të Metës, por ai nuk mori pjesë fare në fushatë aktive duke nënkuptuar se i takonte PD-së të tregonte forcën dhe t’i fitonte zgjedhjet. Por kjo gjë nuk ndodhi.
Javën e shkuar ishte rradha e zgjedhjeve vendore në Kolonjë dhe historia u përsërit: PD nuk paraqiti kandidaturë, as LSI. Përballë Partisë Socialiste u vendos Partia Agrare Ambientaliste. Edhe kësaj herë zgjedhjet i fitoi kandidati i socialist dhe nuk u mor vesh se kë mbështeti Meta.
Nuk duhet të jesh analist politik për të kuptuar se marrëdhëniet ndërmjet dy partive qeverisëse janë prishur aq shumë, sa janë të pakthyeshme.
Por nami i Metës dhe historia e tij politike të shtyn të mendosh se ajo që po shikojmë nuk është thjesht një lojë e konsumuar e cila do të përfundojë në prishjen e koalicionit, por një taktikë për të maksimalizuar çmimin e blerjes, në varësi të të cilit do të vendosen fatet e koalicionit.
Analistët politikë të paguar nga Meta vazhdojnë të publikojnë artikuj që kanë për qëllim gërryerjen e koalicionit. Ndërsa ai i ndërpret periudhat e gjata të qetësisë me qëndrime të vakëta dhe të drejtuara qartë nga pajtimi me partnerin qeverisës.
Të enjten do të shqyrtohet sërish ligji i lejimit të importit të lehrave, i cili u kthye në Kuvend nga Presidenti Nishani në fund të tetorit.
Lëvizja Socialiste për Integrim është partia e vetme që ka votuar dy herë pro këtij ligji. Herën e tretë—pas takimit me përfaqësues të shoqërisë civile, të cilëve u premtoi se do të respektojë kërkesat e tyre—e vetmja gjë që bëri është se hoqi nga rendi i ditës votimin e ligjit, natyrisht përkohësisht.
Sigurisht, Ilir Meta po nxjerr në pah të gjitha të metat e qeverisë me qëllimin e vetëm për ta lodhur atë. Mesa duket ai po përpiqet të shitet sa më shtrenjtë tek Rama.
Por populli ka filluar të lodhet me qeverinë Rama dhe ndoshta ecajakejet e Metës mund të përfundojnë të pavlera.
Ndaj, duket se qëllimi i vërtetë i Metës, duke u nisur edhe nga imazhi i tij politik i krijuar gjatë kohës, është të maksimalizojë përfitimin e tij politik0–ekonomik dhe të minimizojë rrezikun zgjedhor, pavarësisht anësisë së tij politike në skenën shqiptare.
Politika e vërtetë normalisht kërkon alternativa të kuptueshme për zgjedhësit, të cilat formojnë një identitet politik të dallueshëm. Në afatgjatë, këto alternativa nuk mund të jenë thjesht zgjedhje interesi apo vetëm mundësi për të ardhur në pushtet.
Përndryshe nofka e partisë “sh.p.k” mund të dalë e vërtetë për LSI-në dhe babëzia e saj për pushtet e para mund të shuajë këtë parti, të cilën nuk e fshiu dot përpjekja për eleminimin e saj përmes reformës kushtetuese të vitit 2008.
Pikërisht tani që skena e politikës shqiptare ka nevojë për një politikë të moralshme, “kalimi i shkretëtirës” i cili nisi shumë kohë më parë nga Meta si një sfidë krenarie, rrezikon të përfundojë në harresë, nëse populli tashmë i rraskapitur do të vendosë që gjithë zemërimin e tij me politikën t’ja nxjerrë asaj force që, më shumë se të tjerat, ngjan me një skuadër grabitësish të paskrupuj.