Në të dymbëdhjetë prefekturat e vendit u regjistruan me qindra zjarre gjatë muajit mars. Të dhëna satelitore tregojnë se zjarret u regjistruan me qindra edhe në vendet fqinje, por megjithatë Qeveria i quajti ato të qëllimshme, duke shkarkuar përgjegjësitë për përballimin e situatës.
Në Mars, sipas Ministres së Mbrojtjes Olta Xhaçka pati 243 zjarre me mesataren e 8 vatrave në ditë dhe u dogjën 245 hektarë pyje dhe kullota. Me retorikën e ministres Xhaçka, Qeveria u qa se njësitë vendore e kishin lënë vetëm të luftonte me zjarret dhe se e gjithë situata ishte e qëllimshme si “tritolet që u vihen shtyllave të tensionit të lartë”.
Nuk do mend se kujt i drejtoheshin këto konsipracione, por ndryshe nga sa mëtonte të thoshte me nota patriotike Qeveria, se kinse nuk bën politikë kur vjen puna për çështjet e mjedisit, ajo duke i konsideruar zjarret të qëllimshme, nuk shpalli në asnjë zonë gjendje fatkeqësie natyrore, apo akoma më shumë emergjencë kombëtare.
Ministrja Xhaçka, në përpjekje për të përqendruar vëmendjen e opinionit publik te zjarrvënia e qëllimshme, gënjeu kur tha se “vjet, në të njëjtën kohë (mars) ky numër (zjarresh) ka qenë 0 edhe pse kushtet atmosferike kanë qenë të ngjashme”. Vjet në muajin mars Shqipëria vuajti një periudhë të zgjatur shirash. Shkodra për shembull e kaloi gjithë marsin nën ujë. Pra nuk ishin të njëjta kushtet atmosferike dhe prandaj kishte zero zjarre. Ngjashmëria e vetme ishte se edhe vjet nuk u shpall gjendja e emergjencës, njëjtë sikurse në shumë situata të tjera përmbytjesh apo fatkeqësish natyrore që kanë ngjarë vitet e fundit.
Zjarret në Shqipëri dhe rajon sipas të dhënave satelitore.
Sipas platformës Global Forest Watch që monitoron zjarret gjerësisht në glob duke përdorur informacione të marra nga satelitët e NASA-s, në muajin mars në Shqipëri u sinjalizuan 861 zjarre, ku qarku i Shkodrës (206), Dibrës (112), Tiranës (104) dhe Kukësit (87) patën dhe rastet më të shumta.
Nëse shohim për të njëjtën periudhë kohore për vendet e rajonit – përveç Kosovës, për të cilën GFW nuk shërben të dhëna – do të kuptojmë se e njëjta situatë ka qenë edhe për Serbinë (2268 sinjalizime), Bullgarinë (1918), Maqedoninë e Veriut (1508), Greqinë (877), Malin e Zi (845).
Për ta kuptuar më qartë na ndihmon harta e FIRMS (Fire Information for Resource Managment System/Informacion mbi Zjarret për Sistemin e Menaxhimit të Burimeve) ku nga ngjyra e verdhë (me 1 zjarr të sinjalizuar) deri në të kuqe (100+ zjarre) shohim se kush nga vendet e rrajonit ka pasur gjithashtu probleme me zjarret në muajin mars. Sigurisht mund të ketë dallime se kë konsideron vërtetë zjarr Qeveria dhe kë Global Forest Watch, por trendi është më se i kuptueshëm. Nga ana tjetër nëse Qeveria thotë se qindra zjarre u shkaktuan qëllimisht në Shqipëri, nuk ka mundësi që njëherësh qindra zjarre të jenë shkaktuar qëllimisht edhe në Mal të Zi, edhe në Maqedoni, Serbi, Bullgari, Greqi etj.
Emergjencat civile s’e kanë marrë ende veten nga përmbytjet e 2015-ës.
Më 25 mars Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile Haki Çako doli në një konferencë për shtyp dhe deklaroi shifrat që kishte mbajtur pasi ishte marrë 22 ditë me zjarret. Por sipas Çakos zjarret ishin me “dhjetra” e jo me “qindra”. “Janë konstatuar 69 vatra zjarri, prej të cilave janë djegur 167 hektarë” tha drejtori i emergjencave.
Pesë ditë më pas, shifrat që u raportuan nga Ministrja Xhaçka ishin të tjera. Nëse në 5 ditë ishin ndezur vërtetë 174 zjarre të tjera (243 zjarre), atëherë gjendja duhet të ishte e jashtëzakonshme dhe jo me një heshtje totale nga institucionet e tjera, si Kryeministria apo Ministria e Mjedisit. Gjithësesi edhe pse kishte kaq shumë zjarre, madje edhe pse kishte një raport publik nga shefi, emergjencat civile nuk bënë asnjë lloj njoftimi në faqen e tyre zyrtare.
Në web-faqen zyrtare mbeten ende foto dhe njoftime të periudhës nëntor-dhjetor 2017 ku vendi vuajti përmbytje të shumta. Ndërkohë në faqen Facebook aq të përdorur nga qeveritarët të lëvruar “PR”-in e tyre, nuk është bërë përditësim që prej 17 nëntorit 2015 ku për ironi postimi i fundit bën fjalë për prezantimit nga Kryeministri Rama të programit për “rimëkëmbjen nga përmbytjet”.
Kështu me këtë gjendje ku edhe mbrojtja-civile ka harruar fjalëkalimet e faqeve të saj zyrtare, qytetarët kanë të drejtë të ndihen të lënë në mëshirë të fatit, mes zjarreve të marsit, në pritje të shirave të prillit. Si gjithmonë angazhimi i Qeverisë për fatkeqësitë natyrore është për t’u mëshiruar.