
Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu deklaroi të martën, se është i gatshëm të bëjë çdo gjë që opozita të fitojë, por theksoi se nuk do të tolerojë padrejtësi ndaj PR-së.
Në një intervistë për ABC News, duke folur për ngecjen e negociatave me PD-në për zgjedhjet e 25 prillit, Mediu u shpreh:
“Unë toleroj çdo gjë për të fituar opozita, por nuk toleroj të përsëritet 2017. Në 2017 kemi pranuar një koalicion të disfavorshëm për PR dhe PD.”
Mediu sygjeroi që opozitë, të paktën në Tiranë, të kandidojë me listë të hapur kandidatësh, duke motivuar kështu të gjithë kandidatët që të punojnë:
“Po të jem në vend të Bashës, unë 36 zona në Tiranë e bëj me listë të hapur, Dhe kjo duhet bërë në të gjithë Shqipërinë. Është e ligjshme. Ndarja e zonave favorizon atë që merr më shumë vota.”
Mediu theksoi se partia e tij ka mundur të marrë vetëm një kandidat në Tiranë dhe ka qenë pranë të dytit në Shkodër, ndaj kërkon më shumë se thjesht një vend të sigurtë në listën e PD-së.
Mediu tha se nëse PR do të trajtohet si partitë e tjera të koalicionit opozitar që kanë marrë një vend të sigurtë në listat e PD-së, atë PR do të kandidojë më vete:
“Nëse PR do të trajtohet njësoj me partitë e tjera, mendoj që PR do të ishte me efektive nëse do ishte në garë.”
Ai tha se PR ka gati listën me 140 kandidatë për deputetë në gjithë vendin, që do të punojnë për koalicionin e opozitës për të siguruar fitoren:
“Kemi 140 kandidatë që do të kandidojnë me kandidatët zyrtarë të koalicionit në çdo qendër politike. Ata do të punojnë për të gjithë koalicionin për të garantuar fitoren. Besoj se është efektive që të gjithë subjektet e koalicionit të paraqesin 140 kandidatë dhe të koordinohen në zgjedhje.”