Merkel pret samitin e saj të fundit me udhëheqësit e Ballkanit

Merkel pret samitin e saj të fundit me udhëheqësit e Ballkanit

Drejtuesit e Procesit të Berlinit mbajtën samitin e tyre të 7-të vjetor në një video konferencë të hënën, të organizuar nga kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia nga Ballkani Perëndimor do të bashkohen me 9 shtete anëtare të BE-së – Austrinë, Bullgarinë, Kroacinë, Francën, Greqinë, Gjermaninë, Poloninë, Slloveninë dhe Italinë – për të diskutuar gjendjen e rajonit si dhe të ardhmen e fokusuar në pranimin në BE.

Ky do të jetë samiti i fundit nën udhëheqjen e Merkel, iniciatoren e tij, e cila lë detyrën këtë vjeshtë.

Procesi i Berlinit filloi në 2014 si një platformë për të siguruar integrim më të lartë brenda Ballkanit Perëndimor, pasi vetë zgjerimi i BE kishte ngecur. Qëllimi i tij ishte të mbante vendet e Ballkanit Perëndimor në gjirin e BE-së, të sigurohej zbatimi relativ i reformave dhe të mbaheshin kontakte të nivelit të lartë midis Ballkanit Perëndimor dhe udhëheqësve të BE-së.

Në të vërtetë, në shtatë vitet e fundit, përparimi i vetëm drejt zgjerimit të BE-së nga vendet e rajonit ka qenë vendimi i Këshillit Evropian në mars 2020 për të hapur negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Sidoqoftë, bisedimet nuk kanë filluar ende, fillimisht për shkak të kushteve të vendosura ndaj Shqipërisë dhe më pas, për shkak të vetos së Bullgarisë mbi Maqedoninë e Veriut.

Rëndësia e Procesit të Berlinit është bërë edhe më e rëndësishme në kontekstin e zgjerimit të ngadaltë të BE-së.

Në vitin 2015, vendet e Ballkanit Perëndimor krijuan forume vjetore të biznesit dhe forume të shoqërisë civile për rajonin, nën ombrellën e Procesit të Berlinit.

Në vitin 2016, ata gjithashtu themeluan Zyrën Rajonale të Bashkëpunimit Rinor (RYCO), e cila ka punuar që në promovimin e bashkëpunimit midis të rinjve të Ballkanit Perëndimor, përmes programeve të shkëmbimit.

Vendet gjithashtu nënshkruan tregun e përbashkët rajonal (CRM) në nëntor 2020 – një iniciativë që synon krijimin e një zone rajonale për tregtinë, investimet, digjitalizimin, industrinë dhe inovacionin, që do të sillte të gjithë rajonin më pranë BE-së. Rezultati i tij i parë ishte heqja e tarifave të roaming-ut në Ballkanin Perëndimor, duke filluar nga korriku 2021.

Tregu i Përbashkët Rajonal ka rezultuar më i suksesshëm sesa një iniciativë tjetër, më e vogël, e nisur vitin e kaluar nga udhëheqësit e Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut – Mini Schengeni Ballkanik, e ardhmja e të cilit mbetet e paqartë. Duke qënë se vendet e tjera të rajonit refuzojnë të bashkohen, nismëtarët pritet të ndryshojnë emrin e tij më vonë këtë muaj.

Në samitin e sotëm, pjesëmarrësit pritet të bien dakord që udhëtarët të përdorin vetëm kartat e tyre të identitetit kur udhëtojnë në rajon, të lehtësojnë njohjen e diplomave universitare dhe të diskutojnë projekte në lidhje me investimet e BE-së.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>