Shtatë mësime nga zgjedhjet italiane për politikën shqiptare

Nga Carloalberto Rossi
Shtatë mësime nga zgjedhjet italiane për politikën shqiptare

Të dielën e shkuar, u zhvilluan zgjedhjet e përgjithshme në Itali. Edhe pse rezultati i tyre ka krijuar një gjendje të paqartë politike, tre përfundime janë fare të qarta: zhdukja e të majtës ekstreme dhe rënia e njëkohshme e të majtës së rreme të PD-së së Mateo Renzit; konfirmimi i padyshimtë i lëvizjeve alternative, si Lëvizja 5 Stelle (M5S) dhe Lega; dhe përmbysja e raporteve të pushtetit brenda qendrës së djathtë.

Gërshetimi i këtyre tre faktorëve e bën gjendjen politike pas zgjedhore të ngatarruar, duke e bërë të vështirë identifikimin e shumicës qeverisëse, e cila mesa duket është ngushtuar ndërmjet dy mundësive, më parë të pamendueshme: një koalicion ndërmjet M5S dhe Legës (tashmë koalicion i përgenjështruar nga Salvini) dhe një tjetër ndërmjet M5S, PD dhe LeU (koalicion që shumë i ndërlikuar për t’u menaxhuar dhe me gjasa vdekjeprurës për të majtën). Një zgjidhje e tretë, jo shumë e besueshme, është forcimi i qendrës së djathtë nga jashtë me parti të grupimeve të tjera.

Por pavarësisht koalicioneve të mundshme që do të mund të qeverisin Italinë, nga vota e djeshme mund të nxirren disa mësime të nevojshme edhe për politikën shqiptare, që shpesh kopjon me vonesë atë që ndodh në Itali.

Kur kushtet për një gjendje politike janë pjekur, ajo ndodh gjithmonë, herët a vonë

Gjendja politike në Itali, prej shumë vitesh përpiqej të fshihte krizën e thellë në marrëdhëniet ndërmjet partive dhe qytetarëve. Pasojat e kësaj krize janë shtyrë me anë të hileve politike, por pa hyrë asnjëherë në rrënjë të problemit. Kjo lloj strategjie çon domosdoshmërisht në zmadhimin e problemeve deri në pikën që ato bëhen të pa pakontrollueshme, që zakonisht korrespondon me gjendjen e vështirë ekonomike e shoqërore, duke sjellë kështu kosto përfundimtare shumë më të lartë.

Arroganca politike nuk paguan asnjëherë në afatgjatë

Udhëheqësia e Renzit ka qenë shumë e ngjashme me atë të Ramës, me qasje shumë arrogante në përballjen me opozitën, të brendshme apo të jashtme, çfarë çon përfundimisht në rënien e çdo lloj konsensusi. Një dialektikë arrogante e pambështetur në fakte dhe zgjidhjen e problemeve shoqërore përmes acarimit të përballjeve politike dhe kufizimit të hapësirës për politikë dhe negocim.

Të qeverisësh nuk është njësoj si të drejtosh një OJQ

Që kur mbërriti në Pallatin Chigi, Matteo Renzi i dha përparësi deklaratave që kanë ndikim dhe komunikimit të vazhdueshëm me median dhe me zgjedhësit, duke i kushtuar shumë pak vemendje zgjidhjes së problemeve të njerëzve dhe vendit. Nëse krijimi i optimizmit mund të jetë shpërblyes në afatshkurtër, kjo nuk mjafton në afatgjatë në mungesë të rezultateve të verteta. Njësoj, shpenzimi i të gjithë buxhetit nuk do të thotë detyrimisht se ke arritur ndonjë gjë.

Të dëgjosh njerëzit dhe gjendjen e tyre ekonomike e shoqërore është e domosdoshme

Si Renzi edhe Rama kanë një predispozitë të veçantë për t’i mbytur me llafollogji filozofike të gjithë bashkëbiseduesit e tyre kritikë, deri në përqeshjen e tyre, me qëllim zhvendosjen e vëmendjes së publikut nga problemet e vërteta. Të dëgjosh njerëzit dhe të dish të kuptosh problemet e vërteta, që më pas të propozosh dhe të zbatosh zgjidhjet e duhura, është qëllimi i vërtet i politikës. Të humbësh lidhjen me realitetin është rreziku më i mundshëm i kujtdo që ka sukses në politikë.

Fundi i qasje “politikisht korrekte” të së majtës së kthyer në hedoniste dhe hiperkapitaliste

Prirja, tashmë e dukshme që nga fitorja e Presidentit Trump në SHBA, tregon se si, që pas rënies së Murit, të majtat janë shpërqendruar gjithnjë e më shumë nga temat historike të së majtës socialiste. Në këtë mënyrë ato janë larguar gradualisht nga problemet e bazës së tyre tradizionale, duke mohuar bazën ideologjike, por duke humbur njëkohësisht edhe aftësinë për të qënë solidare me atë pjesë të madhe të popullsisë së përjashtuar, madje të trazuar, nga efektet e globalizimit dhe hiperfinanciarizimit të ekonomisë botërore, duke u lënë kështu partive të ashtuquajtura “populiste”, por në të vërtet thjesht “popullore”, përfaqësimin e klasave popullore.

Çarje në strukturën e BE-së, zgjedhjet nuk fitohen në Bruksel

Dëshira e superburokracisë europiane, dhe kufizimet e traktateve evropiane kanë qenë për vite të tëra justifikime dhe alibi për shumë zgjedhje jopopullore të politikave ekonomike, duke zbuluar se në shumë raste të tjera (si rasti i Bankës Veneto) marrëveshjet injoroheshin në qetësi dhe në marrëveshje të heshtur me Brukselin. Por partitë që me të vërtet kanë fituar mbështetjen e qytetarëve si M5S dhe Lega, duket se nuk e pranojnë këtë lloj nënshtrimi asimetrik, gjë e cila do të krijojë shumë stres në mjediset evropiane; kjo zgjedhje, që mund të krijojë probleme të mëdha dhe të verteta në qendrueshmërinë e strukturës së BE-së, tregon se konsensuset e cakturara të Brukselit nuk mund ta zëvendësojnë konsensusin e elektoratit.

Asgjësimi i mendimit ndryshe dhe kritikave me akuza për populizëm ose fashizëm nuk është zgjidhje

Për muaj të tërë klima e politikës italiane u ndot nga termi “populist” që iu vesh pa dallim të gjithë atyre që nuk ishin dakord me të majtën politikisht korrekte. Ndërsa dramatizimi i disa fakteve të kronikës evokoi fantazmat e fashizmit, të agjituar me mjeshtri në aspektin elektoral. Por tani këto forca aq të stigmatizuara fituan konsensusin elektoral, ndërsa kampionët e inatosur të antifashizmit militant morën goditjen e duhur, me rënie të konsensusit, që është pak të thuash të habitshme. Përdorimi i parrullave të vjetra dhe i conventio ad excludendum (marrëveshjes mes palëve për të përjashtuar palë të tjera) nuk ngjit më tek njerëzit, të dëshpëruar nga burokracia, taksat dhe papunësia.

Kushedi… nëse ndokush në Shqipëri do t’i përdorë si thesar këto mësime të nxjerra nga zgjedhjet italiane.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>