Presidenti Ilir Meta i bëri thirrje institucioneve publike të vendosin të gjitha kapacitetet e tyre në dispozicion për gjetjen e përgjegjësit të sigurisë në magazinën e një qendre tregtare, e cila shpërtheu disa ditë më parë.
Përmes një postimi në Facebook, Meta i kërkon Ministrisë së Brendshme e të Mbrojtjes të ndërpresin aktivitetin e tyre politik dhe të vijojnë punën për gjetjen e këtij personi.
“Prej pasdites së 24 marsit 2021, një tragjedi e vërtetë po ndodh vetëm 3 km larg nga qendra e Tiranës, në ambientet e një biznesi privat, të përfshirë nga flakët, që ende nuk janë shuar.
Sipas të dhënave paraprake një qytetar, me detyrën Përgjegjës i Sigurisë, dyshohet edhe për një shtetas të dytë, kanë mbetur të bllokuar në magazinat e katit të nëndheshëm, ndërkohë që dëmi pasuror i biznesit llogaritet në shifra tepër të larta.”
Meta shtoi se në rast të mungesës së kapaciteteve, ti kërkohet ndihmë vendeve të tjera.