Presidenti Ilir Meta i kërkoi Avokaturës së Shtetit informacion në lidhje me çështjet në arbitrazh kundër Shqipërisë.
Në një kërkesë drejtuar Avokaturës së Shtetit, Meta pohoi se edhe pse ka kaluar 1 muaj e 15 ditë ende nuk ka marrë përgjigje, duke paralajmëruar kallëzim ndaj avokates së shtetit për shpërdorim detyre.
“Janë bërë plot 3-muaj e 15 ditë pa asnjë përgjigje! Me shkresën me nr. prot. 2391/1, datë 14.09.2020, Ju është kërkuar për herë të dytë përcjellja e informacionit të kërkuar 3 muaj më parë, mbi çështjet në proces dhe vendimet e gjykatave të arbitrazhit ku shteti shqiptar është palë.
Në këtë shkresë të dytë ju është lënë një afat 4-ditë pune për ta përcjellë informacionin e kërkuar.
Institucioni i Presidentit të Republikës deklaron do të ndërmarrë të gjitha hapat ligjorë për referimin e rastit të shpërdorimit të detyrës në organet ligjzbatuese, për secilin prej personave që me veprime apo mosveprime, është bërë pengesë për dhënien e këtij informacioni, dhe që po krijon edhe më shumë bindjen e arsyeshme të bazuar në prova dhe ligj se po bëhen përpjekje për të mbuluar veprime të tjera të dënueshme që kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme financiare për shtetin shqiptar.”
Meta gjithashtu i bëri thirrje Ministrisë së Ekonomisë për të informuar në lidhje me detyrimet që ka shteti shqiptar në arbitrazh.