Presidenti Ilir Meta i ka kërkuar Prokurorisë së Posaçme të hetojë projekt ligjin për Metrologjinë.
Meta pohon se ky ligj ligjëron “një skemë për qëllime klienteliste, në dhënien me koncesion të shërbimit shtetëror tek subjekte privat, në mënyrë të pakontrolluar, dhe pa negociuar asnjë kusht për mbrojtjen e interesit shtetëror.”
Meta shton se ligji është antikushtetues dhe i kërkon SPAK të hetojë dhe mbi procesin e nismëtarët e projektligjit.
Më herët, Presidenti Meta nuk dekretoi ligjin për metrologjinë të miratuar nga Kuvendi më 20 tetor 2020.
Arsyet e mosdekretimit sipas dokumentit të publikuar nga Presidenca janë:
1 — Ligji është antikushtetues duke prekur funksionimin e “tregut të lirë dhe konkurrues, duke përbërë dhe shembullin tipik dhe të përsëritur, të fenomenit të “korrupsionit legjislativ”.
2 — Ligji krijon hapësira për zhvillimin e praktikave korruptive
3 — Ligji krijon lehtësi për një një shërbim publik që është dhe duhet të ngelet përgjegjësi e organeve publike për t`u ushtruar, të kryhet nga subjekte private pa kritere të përcaktuara.
4 — Ligji anashkalon procedurat e parashikuara në ligjin për partneritetit publik privat apo të rregullave të tjera që normojnë konkurrencën e lirë, të ndershme e transparente për marrjen e së drejtës për realizimin e një shërbimi publik