Presidenti Ilir Meta, sot, në Ditën Ndërkombëtare të Trashëgimisë Kulturore ka paralajmëruar se të gjithë ata që shembën Teatrin Kombëtar, dhe shkatërruan vlerat arkeologjike të Durrësit, dhe të të gjithë vendit do të dënohen.
Këto veprime të rënda në shkelje të Kushtetutës, tha Presidenti, “janë të paamnistueshme”, shkroi ai në një postim në Facebook.
Meta e quaji shembjen e Teatrit Kombëtar një akt taleban. Ndërsa, theksoi se shkatërrimi i trashëgimisë kulturore në të gjithë vendin është:
“Dëshmi ulëritëse më të freskëta se si arroganca, korrupsioni dhe papërgjegjshmëria e një pushteti mund të sjellë dëme të pariparueshme për trashëgiminë tonë kombëtare e kulturore, pjesë e trashëgimisë europiane”.
Ai i bëri thirrje popullit për drejtësi, dhe tha se shembja e Teatrit “do të shënojë fillimin e një zgjimi të vërtetë të shoqërisë civile në Shqipëri të udhëhequr nga artistë dhe intelektualë”.