Presidenti Meta nuk ka dekretuar dhe ka kthyer në kuvend ligjin për ‘Për zhvillimin rajonal dhe kohezionin’, i cili e ndan vendin në katër rajone zhvillimore, si njesi territorial.
Sipas argumentimit të presidentit, ligji bie në kundërshtim me kushtetutën pasi prek pavarësinë e pushtetit vendor.
“Qëllimi i qeverisë përmes këtij ligji është përqendrimi dhe kontrolli i pushtetit vendor nga Këshilli i Ministrave, ndërkohë që pushteti vendor sipas Kushtetutës duhet të funksionojë i decentralizuar dhe autonom në veprimtarinë e tij”, shkruan presidenti.
Po ashtu, me këtë ligj, Këshilli i Ministrave merr kompetencat e Kuvendit, i cili është i vetmi organ që ka të drejtë për të vendosur mbi kufijtë e njësive administrative territoriale.
Presidenti thekson se ligji është miratuar në kuvend pa u konsultuar me banorët e secilës zonë, opinioni të cilëve është i rëndësishëm pasi ndarja e vendit në 4 rajone do të ketë ndikim direkt në mënyrën e orientimit të politikave zhvillimore në këto zona.
Meta shkruan se me këtë ligj, qeveria ushtron pushtet të pakontrolluar mbi qeverisjen vendore, çka thellon edhe më shumë krizën e rëndë politike dhe kushtetuese në të cilën ndodhet sot vendi.