Presidenti Meta ktheu në Kuvend ndryshimin në ligjin për rezervat e shtetit, sipas të cilit shitja dhe blerja e mallrave me vlerë të lartë do të kontrollohet vetëm nga Kryeministri.
Më 20 qershor, me 76 vota, Kryeministri Rama, me votën e shumicës socialiste i dha vetes të drejtën të shesë dhe të blejë mallra më vlerë të lartë si ari, argjendi dhe platini. Më parë kjo ishte kompetencë e Këshillit të Ministrave.
Argumentet kryesore të paraqitura nga Presidenti për mosdekretimin e ligjit janë mos-garantimi i mbrojtjes së interesit publik dhe mospasja e një justifikimi ligjor për këto ndryshime.
Ndryshimi në ligj
Neni 10, pika 1, i ligjit ishte:
“Lëvrimi dhe shitja e mallrave rezervë të grupit A bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit.”
u bë:
“Lëvrimi dhe shitja e mallrave rezervë të grupit A bëhet me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e ministrit.”
Cilat janë mallrat rezervë të grupit A?
Lista e mallrave rezervë është përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave.
Në grupin A bëjnë pjesë materialet më të kushtueshme dhe të rëndësishme si:
– Ari, argjendi, platini dhe të tjerë material të kësaj natyre;
– Mjete të rënda transporti;
– Grurë;
– Mallra të ndryshëm tepër vëllimorë.
Në relacionin shoqërues të Këshillit të Ministrave, synimi kryesor për ndryshimin e ligjit ishte thjeshtëzimi i procesit të blerjen e këtyre mallrave, duke e kaluar vendimin në duart e vetëm një personi, Kryeministrit.
Arsyet e mosdekretimit të Presidentit Meta
Presidenti Meta u shpreh se kalimi i së drejtës për blerjen e arit dhe mallrave të tjerë në duart e Kryeministrit është “i pajustifikuar ligjërisht” dhe “nuk garanton plotësisht mbrojtjen e interesit publik”.
Ndryshimet e propozuara nga shumica socialiste dobësojnë mekanizmat e kontrollit mbi procesin e blerjes dhe lëvrimit të këtyre mallrave me rëndësi të veçantë.
“Nisur nga rëndësia dhe vlera e këtyre mallrave është në interes të publikut që kontrolli i çdo veprimi mbi këto mallra të jetë maksimal dhe jo një marrëdhënie midis dy autoriteteve politike Ministër – Kryeministër, ku padyshim kjo marrëdhënie varësie midis tyre (Kryeministër-Ministër) mund të ndikojë drejtëpëdrejtë në vendimarrje”, u shpreh Presidenti Meta.
Më tej, Meta shtoi se ky ligj prej 11 vitesh neëë fuqi nuk ka pasur asnjë problem në zbtaim.
Po ashtu, Meta shkruan se ligji parashikon dhe se si veprohet në raste emergjence, kështu që pretendimi i Këshillit të Ministrave se blerja dhe lëvrimi i mallrave rezervë ka nevojë për thjeshtëzim nuk qëndron.