
Presidenti Meta ka kujtuar të mërkurën ditëlindjen e 110-të të Nënë Terezës.
Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Meta shkruan se vepra saj duhet të shërbejë si frymëzim për të gjithë shqiptarët:
“Vepra e Shën Terezës është sot më shumë se kurrë frymëzim për t’u përkushtuar me dashuri ndaj njerëzve në nevojë, të braktisurve e të sëmurëve, për të bërë gjithçka duhet për këdo që ka nevojë për ndihmë, solidaritet e përkrahje sociale, si dhe për t’u angazhuar fuqimisht e të gjithë bashkë për rikthimin e shpresës për një jetë dinjitoze, për punësimin e qytetarëve, zhvillimin ekonomik të vendit dhe frenuar dramën e madhe të shpopullimit.”
Nënë Tereza mori çmimin Nobel për Paqen në vitin 1979 për luftën e saj kundër varfërisë dhe fatkeqësive në botë. Ajo ndërroi jetë më 5 shtator 1997.
Ajo është shenjtëruar nga Papa Françesku pasi në dhjetor 2015, Vatikani i njohu Nënë Terezës mrekullinë e dytë, atë të shërimit të një braziliani me tumor në kokë.
Ndërsa mrekullia e parë, ajo që i solli asaj Lumturimin, ishte shërimi i një indianeje nga kanceri në stomak.