Presidenti Ilir Meta lëvdoi procesin e votimit dhe bëri thirrje për të vazhduar qetësisht numërimin. Në një deklaratë për media, Meta u shpreh se:
“Edhe pse i vetëm përballë të gjithë institucioneve të kapura, ja arrita, që 25 Prilli të ishte një ditë e qetë, paqësore, pa skena dhune dhe me pjesëmarrjen tuaj masive për të ushtruar të drejtën e votës. Ndonëse dukej një sfidë e pamundur jam i lumtur, që 25 Prilli mund t’i shërbejë demokracisë dhe stabilitetit të vendit”.
Meta i kërkoi partive politike të vazhdojnë të përmbyllin qetësisht procesin e numërimit:
“Në këto momente është tepër e rëndësishme, që ky proces të përmbyllet qetësisht dhe që çdo votë, nga Vermoshi në Konispol, të numërohet dhe të administrohet sipas ligjit. Deri në shpalljen e rezultatit përfundimtar, partitë politike dhe përfaqësuesit e tyre duhet të dëshmojnë maturi dhe qetësi”.
Presidenti theksoi se sfida e tij këto vite ka qënë “që Shqipëria të rikthehet në shinat e Kushtetutës, të parlamentarizmit dhe në normalitet politik”.
“Tani është koha për të përmbyllur me qetësi dhe në respekt të ligjit procesin zgjedhor dhe më pas të gjithë të reflektojnë deri në shtator, kur krijohen institucionet e reja, që burojnë nga vota e 25 Prillit”, përfundoi Meta.