Presidenti Ilir Meta nuk do të marrë pjesë në seancën dëgjimore të kërkuar nga Komisioni i Ligjeve, sot, më 6 maj, për shkak të takimeve të tij zyrtare.
Meta përmes një letre dërguar Kuvendit po sot kërkoi planifikimin e seancës dëgjimore me datë 10 maj, në një orar të përshtatshëm të Kuvendit.
Ai sqaroi se sot për shkak të takimeve me Ministren austriake për Çështjet Europiane Karoline Edtstadler; dhe Presidentin slloven Borut Pahor nuk mund të ishte i pranishëm në seancën dëgjimore.
Presidenti theksoi se kërkesa e Kuvendit për seancë dëgjimore në një afat kohor më pak se sa 24 orë nga nisja e procedurës së shkarkimit të tij është në shkelje me rregulloren e Kuvendit.
“Harku kohor prej më pak se 24 orësh, kurrësesi nuk mund të klasifikohet si “kohë e mjaftueshme”. Rregullorja e Kuvendit ju njeh të drejtën për të kryer një vlerësim dhe të hartoni një raport brenda një harku kohor prej (15) pesëmbedhjetë ditësh, afat i cili përfundon në datën 15 Maj 2021”, shkroi presidenti në letrën e tij.
Ai gjithashtu i kërkoi Komisionit të Ligjeve, “që pavarësisht porosive misionare partiake të ngarkuara, të respektohej për çdo lloj nisme të ndërmarrë, procedura kushtetuese dhe ligjore”.