Presidenti Ilir Meta paralajmëroi se ata që grabisin votën do të trajtohen si “armik” i vendit.
“Të gjithë ju “të fortë”, që po përdoreni nga pushteti kriminal për presione dhe blerje votash, bëhuni gati se edhe pulat do t’ua sekuestrojmë”, shkroi Meta në një postim në Facebook, të mërkurën.
Ai paralajmëroi edhe zyrtarët e shtetit të mos shkelin ligjin:
“Të gjithë ju zyrtarë, që nuk keni kartelë psiqike, mos e rëndoni pozitën tuaj duke shkelur ligjin dhe Kodin në ditët dhe orët, që vijnë. Kush prek votën e 25 Prillit ka sulmuar sovranitetin e popullit dhe të Republikës së Shqipërisë dhe do trajtohet si armik i Republikës dhe Kushtetutës!”.
Presidenti shprehu bindjen se opozita do të fitojë dhe Kryeministri Edi Rama do të humbë. Si dhe i kërkoi qytetarëve të verifikojnë qendrat e votimit.
“Asgjë nuk e ndal triumfin e vullnetit të Sovranit, që përmes Referendumit të 25 Prillit do ta përmbysë Fuks-Shtetin e “Rilindjes” dhe do të rivendosë shtetin e së drejtës dhe Llogaridhënien”.