Presidenti Ilir Meta tha se vendimi i KPA-së për të shkarkuar anëtarin e Gjykatës Kushtetuese Besnik Muçi, nuk është surprizë pasi qeveria Rama e kishte dhënë vendimin me sulmet e saj kundër Muçit.
Në një deklaratë për gazetarët, presidenti Meta tha:
“Zero surprizë nga vetingu i partisë, ai u shpall para disa ditësh nga zëvendërkryeministri për Besnik Mucin. E konfirmoj se ai [Muçi] që ditën e parë që ka hyrë në zyrë ka pasur presione politike për ta bërë pjesë të puçit për të penguar zonjën Marsida Xhaferllari për të ushtruar detyrën e saj si anëtare e Kushtetueses.”
Për rekomandimin e fundit të ambasadës amerika për ta dërguar çështjen e Gjykatës Kushtetuese tek Komisioni i Venecias, Presidenti komentoi:
“SHBA janë si yll, si shpirt, e kemi bërë Kushtetutën me ato, Venecia ka fol qartë, nuk bën dot dy emërime presidenti. Unë ua kam bërë të qartë, ata ndoshta punojnë me kushtetutën e Ramës, Agaçit, Dvoranit. Le të vijnë me ekspertët e tyre, mos t’i mbajnë të fshehtë, dhe unë do tu tregoj Kushtetutën mbi të cilën jam betuar.”
Megjithatë Meta i quajti ‘hipokritë’ ata që kërkojnë ta çojnë këtë çështje në Komisionin e Venecias:
“Hipokritët që duan të cojnë gjoja tani këto akte në Venecia, janë hipokritë sepse duhet të çonin zgjedhjen e Arta Markut me 69 vota në kundërshtim me Venecian, kur e kundërshtoi edhe opozita dhe gjithë të tjerët.”
Si zgjidhje të vetme për krizën politike, presidenti Meta dha referendumin:
“Tani ka vetëm një zgjidhje për Edi Ramën dhe disa palaco ndërkombëtarë. Vetëm referendumi. Ata të dalin me Edi Ramën dhe unë do dal me gjithë shqiptarët që duhet të rimarrin në dorë sovranitetin e vendit.”