Presidenti Ilir Meta ka reaguar pas grevës së punonjësve të Albcontrol-it. Përmes një postimi në Facebook, Meta i bëri thirrje punonjësve të mos e ndërpresin punën.
Ai tha se është në sigurinë kombëtare të vazhdohet puna nga kontrollorët.
“Në çdo kohë dhe pa ndërprerje të garantohet cilësia dhe objekti i punës së “Albcontrol” për administrimin dhe kontrollin e hapësirës ajrore të Republikës së Shqipërisë për fluturimin ajror civil dhe ushtarak, në përputhje me standardet e pranuara ndërkombëtare”, shkruan Meta.
Meta i bëri thirrje qeverisë dhe Albcontrol-it të marrin masa në lidhje me kërkesat e qytetarëve.
“Qeveria dhe Organet Drejtuese të “Albcontrol”, duhet të vlerësojnë me seriozitet dhe shumë kujdes kërkesat e kontrollorëve, qëndrimet zyrtare që ATCEUC-Kontrolluesit e Trafikut Ajror dhe Koordinimit të Bashkimit Europian, për gjetjen e zgjidhje të drejtë, duke ju referuar praktikave më të mira të vendeve fqinje, për trajtimin e kontrollorëve të trafikut ajror në këtë kohë krize globale të shkaktuar nga Covid-19, ku para së gjithash primare duhet të jetë garantimi i sigurisë së fluturimeve në hapësirën ajrore shqiptare”, përfundoi ai.