Mijëra pedofilë kanë vepruar brenda Kishës Katolike Franceze që nga viti 1950, thotë kreu i një paneli që hetoi abuzimet nga anëtarët e kishës.
Jean-Marc Sauvé tha për mediat franceze se komisioni kishte gjetur prova për 2900 deri në 3200 abuzues, nga gjithsej 115 000 priftërinj dhe klerikë në Francë.
“Ky është një vlerësim minimal,” shtoi ai.
Komisioni do të lëshojë një raport më të gjatë të martën. Ai bazohet në arkivat e kishës, gjykatës dhe policisë, si dhe intervistat me viktimat.
Hetimi i pavarur është porositur nga Kisha Katolike Franceze në vitin 2018, pas një numri skandalesh në vende të tjera.
Zoti Sauvé, një nëpunës i lartë civil, i tha gazetës franceze Le Monde se paneli u kishte dorëzuar prova prokurorëve në 22 raste ku mund të ngrihen padi penale.
Më shumë se 6500 viktima dhe dëshmitarë u kontaktuan për dy vjet e gjysmë. Raporti përfundimtar është 2500 faqe.
Në fillim të këtij viti Papa Françesku ndryshoi ligjet e Kishës Katolike për të hetuar dhe gjykuar abuzimin seksual.
Rregullat e reja e bëjnë abuzimin seksual, ngacmimin e të miturve, posedimin e pornografisë së fëmijëve dhe mbulimin e abuzimit një shkelje sipas Ligjit Kanonik.