Mijëra protestues në gjithë Brazilin kanë kërkuar largimin e presidentit Jair Bolsonaro duke e fajsuar atë për keq menaxhimin e krizës së COVID-19.
Në kryeqytetin Brasilia, protestuesit marshuan së bashku me një kukull gjigande plastike të presidentit. Ata kërkuan shkarkimin e tij, më shumë vaksina dhe ndihmë financiare.
Në Recife, policia qëlloi me plumba gome dhe gaz lotsjellës në drejtim të protestuesve të cilët u përpoqën të marshonin nëpër një rrugë të mbyllur.
Në disa qytete, demonstruesit vendosën mijëra kryqe simbolikë në shenjë nderimi për ata që vdiqën në pandemi.
Popullariteti i Bolsonaros ka rënë për shkak të mënyrën se si ai ka menaxhuar pandeminë.
Brazili është vendi i dytë në botë për nga numri i vdekjeve të shkaktuara nga COVID-19, rreth 460 mijë dhe ka regjistruar mbi 16 milionë të infektuar.
Protestat e së shtunës bënë presion të mëtejshëm ndaj Bolsonaros ndërsa Senati i Brazilit ka hapur një hetim mbi përgjigjen e qeverisë ndaj pandemisë dhe ngadalësimin e programit të vaksinave.
Partitë e opozitës, sindikatat dhe lëvizjet shoqërore akuzojnë Bolsonaron se ka vonuar programin e vaksinimit dhe ka shpërfillur pasojat që kjo do të sillte.
Numri i lartë i të infektuarve e ka çuar sistemin shëndetësor të vendit në prag të kolapsit.
Bolsonaro vazhdimisht ka kundërshtuar mbylljen për shkak të COVID, duke argumentuar se dëmtimi i ekonomisë do të ishte më i keq se efektet e vetë koronavirusit. Ai gjithashtu u ka thënë brazilianëve që të “mos ankohen” për situatën.
Të enjten, kreu i Institutit shkencor Butantan të Brazilit i tha një komiteti të Senatit se veprimet e Presidentit Bolsonaro vonuan fillimin e programit të vaksinimit.
Dr Dimas Covas tha se në gusht të vitit të kaluar, Butantan ofroi të furnizonte qeverinë me 100 milionë doza të vaksinës CoronaVac, të cilat instituti do t’i prodhonte me licencë nga Sinovac i Kinës.
Por një ditë pas ofertës së Butantan, Bolsonaro u zotua që qeveria e tij “kurrë” nuk do të blinte një vaksinë kineze, tha Dr Covas.
Po të ishte pranuar oferta, Butantan do të ishte në gjendje të dorëzonte 100 milionë doza deri më 30 mars të këtij viti, shtoi Dr Covas.
Brazili deri më tani ka marrë një total prej 46 milionë dozash. Vetëm 10% e popullsisë së rritur ka marrë dy dozat e kërkuara.
Zyrtari më i lartë i Pfizer për Amerikën Latine, Carlos Murillo, i tha komitetit të Senatit se qeveria e Bolsonaro kurrë nuk iu përgjigj një oferte që përfshinte 1.5 milion doza për Brazilin që në dhjetorin e kaluar.