Qindra minatorë po protestojnë përpara Kryeministrinisë në kërkim të statusit të minatorit, që prej vitesh i është premtuar, por ende vazhdon të mos votohet në parlament.
Minatorët, të mbështetur dhe nga sindikatat, kërkojnë miratimin sa më parë të statusit që parashikon dhe mbron të drejtat e tyre, si një ndër profesionet më të rrezikuara gjatë punës.
Protestuesit u shprehën se kanë biseduar me ministritë përkatëse dhe kanë rënë dakord për përmbajtjen e statusit por nuk kanë marrë asnjë përgjigje se përse po vonohet votimi në parlament.
“Ka 27 vite që na mashtrojnë si njëra parti dhe tjetra”, u shprehën mitanorët, duke thënë se statusi i minatorit duhet të ishte miratuar që në momentin e ndërrimit të sistemit politik.
Ministria e Energjisë, që prej marsit të 2017-ës, ka njoftuar se po punon për hartimin e një statusi të veçantë për minatorët, bazuar në kërkesat e këtyre të fundit.
Disa nga kërkesat kryesore të minatorëve janë paga minimale e tyre të jetë të paktën 70 mijë lekë në muaj, përfitimi i pensioneve për minatorët dhe familjarët e tyre në rast të aksidenteve në punë, rritjen e pensionit dhe uljen e moshës së daljes në pension.
Po ashtu, minatorët kërkojnë të drejtën për të përfituar kontrolle mjekësore falas, dhe në rast të sëmundjeve profesionale, shteti t’i sigurojë kurimin mjekësor falas.
Aktualisht, punëtorë dhe ish-punëtorë të minierave numërohen rreth 8 mijë persona. Ata njihen si një ndër grupet me jetëgjatësinë më të shkurtër krahasuar me qytetarët e tjerë, si pasojë e punës në kushte të vështira në nëntokë.
Nga kushtet e rrezikshme të punës, vetëm në muajt e fundit kanë humbur jetën shtatë minator dhe janë plagosur dhjetëra të tjerë.