
Minatori Selim Lela ka përgënjeshtruar të mërkurën partinë Nisma Thurrje, duke thënë se ai nuk do të kandidojë për deputet dhe se mbështet kandidaturën e pavarur të minatorit Elton Debreshi.

Nisma Thurrje postoi të martën në mbrëmje një foto të minatorit Lela duke shkruar se ai do të kandidojë në qarkun e Dibrës.
Nisma ka postuar një shkrim në emër të Lelës.
“Quhem Selim Lela, jam 26 vjeç dhe do të kandidojë për deputet në qarkun e Dibrës. Kur isha i vogël kam shkuar pas babait tim në minierë. Nuk kisha ndonjë pasion të madh për atë punë por e ndihmoja sa mundesha për të siguruar disa të ardhura jetike në muaj”, thuhet në postimin e Nismës.
Por minatori Selim Lela ka shkruar në Facebook se:
“Mbrëmë kam marrë vesh që qenkam kandidat për deputet nga Nisma Thurje. U habita shumë, se Nismën Thurje e kam takuar për çështjen e statusit të minatorit. Ata më kanë bërë një fotografi për këtë gjë, por kanë keqpërdorur besimin tim“.
Lela shprehet se ai mbështet kandidaturën e pavarur të Elton Debreshit.
“Unë nuk jam kandidat për deputet. Kandidati i pavarur i minatorëve është Elton Debreshi, të cilin e mbështesim dhe do të fitojë”.
Ai ka kërkuar falje për keqkuptimin.
Exit kontaktoi kreun e Nismës Thurrje Endri Shabani për një sqarim në lidhje me këtë postim, por nuk ka marrë ende një përgjigje.
Elton Debreshi është minatori dhe kryetar i Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës.
Ai kandidon në Dibër si kandidat i pavarur. Debreshi është shprehur se qëllimi i kandidimit të tij është Statusi i Minatorit dhe përmirësimi i kushteve të minatorëve dhe qytetarëve të Dibrës.