Ministeriali i Mbrojtjes së NATO-s i radhës do të organizohet për herë të parë në Shqipëri, në 17-18 qershor.
Kjo do të jetë hera e parë që një ministerial i mbrojtjes organizohet në Ballkanin Perëndimor, pasi në 10 vitet e fundit ky takim është organizuar në Bruksel.
Ideja që ky ministerial të zhvillohet në Tiranë ka qenë e ministres së Mbrojtjes Olta Xhaçka dhe u pranua nga Ministrat e Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s në mbledhjen e Këshillit të Atlantikut në Bruksel.
Në përfundim të takimi në Bruksel, Zonja Xhaçka u shpreh:
“Vendimi i Aleancës për tu takuar në Shqipëri është jo vetëm vlerësim maksimal për sigurinë që vendi ynë përcjell si një aleat i denjë, por edhe një mesazh i fortë i NATO për vëmendjen e saj ndaj Ballkanit Perëndimor e rolit të fortë që Shqipëria luan si faktor stabiliteti në rajon.”
Këtë vendim të NATO-s e përshëndeti dhe ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë Yuri Kim:
“Faleminderit ministres së Mbrojtjes Olta Xhaçka për udhëheqjen e Shqipërisë në NATO. SHBA është krenare të qëndrojë me Shqipërinë në krah.”
Në ministerialin e NATO-s mblidhen ministrat e Mbrojtjes së vendeve anëtare dhe diskutojnë për zhvillimet e fundit të rendit dhe sigurisë.