
Ministrat e jashtëm të vendeve të BE-së nuk kanë arritur të marrin një vendim unanim për hapjen e negociatave Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Në një konferencë për shtyp pas mbledhjes së sotme në Luksemburg, ministrja finlandeze Tytti Tuppurainen tha se ata kishin provuar me të gjitha mënyrat të binin dakord për hapjen e negociatave, por disa vende anëtare kishin refuzuar deri në fund.
Ministrja Tuppurainen dhe Komisioneri Hahn iu shmangën pyetjes se cilat vende kishin refuzuar hapjen e negociatave, por gjatë konferencës për shtyp u bë e qartë se ato ishin tre dhe se Franca ishte njëra ndër to.
Ata sqaruan se vendimi do t’i mbetej Këshillit Evropian në datat 17-18, kur krerët e qeverive të 28 vendeve të BE-së do të vendosin përfundimisht.
Hahn tha “nuk kam shenja të qarta se Makron do të ndryshojë mendje” në dy ditët që ndajnë nga nisja e takimit të Këshillit Evropian.
Ai e shmangu përgjigjen për pyetjen nëse qeveria e Shqipërisë do të ishte përgjegjëse për një vendim të mundshëm negativ, apo nëse një vendim i tillë do të mund të vinte për shkak të problemeve të brendshme të BE-së.