Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi ka deklaruar se këtë vit Shqipëria ka patur turistë sa 50% e vitit të kaluar.
Pavarësisht pandemisë që kufizoi udhëtimin gjatë gjithë vitit, Klosi tha në emisionin “Real Story” se Shqipëria ishte më mirë në turizëm se Greqia dhe Mali i Zi.
“Edhe pse themi që ishte një vit i jashtëzakonshëm, edhe turizmi shqiptar dëshmoi se mund t’ia dalë. Ishte keq ky vit, por brenda të keqes ne nuk falimentuam. Nga qershori deri në shtator turizmi ka pasur një biznes të suksesshëm.
Gjithashtu, ky vit na tregoi se një turizëm i brendshëm shqiptar ja doli t’i mbushte plot hotelet tona.
Në Shqipëri quhet turist ajo pasaportë e huaj që hyn në Shqipëri dhe qëndron më shumë se 24 orë. Në Shqipëri erdhëm më shumë se 2 milionë e gjysmë turistë. Shkuam në 50% të numrit të atyre që hynë vitin e kaluar.
Edhe Mali i Zi ishte shumë më keq se ne, pasi humbën serbët, shqiptarët, por edhe se nuk kanë shumë komunitet të brendshëm. Hotelet tona patën turizmin e brendshëm, turizmin rajonal dhe politikat që ndoqëm për të ftuar shumë turistë, si polakë, rusë, etj.”, deklaroi Klosi.
Ministri tha gjithshtu se këtë vit turizmi funksionoi me kapacitet të plotë dhe bizneset patën sukses.