Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi shprehet se Partia Socialiste e meriton një mandat të tretë për të mirën e vendit pasi i ka mbajtur të gjitha premtimet elektorale.
Gjatë një interviste në Report TV, ministri Peleshi deklaroi se këto zgjedhje nuk do të jenë të lehta pasi do të jetë hera e parë që një parti politike në Shqipëri do të marrë mandat të tretë.
“Ne jemi në një sfidë jo të lehtë, duhet thënë, sepse shkojmë për një mandat të tretë, me shumë besim por nga ana tjetër edhe të vetëdijshëm për faktin se do të jetë hera e parë në historinë politike 30-vjeçare në këtë sistem të ri të demokracisë liberale që një forcë politike merr një mandat të tretë.”
Pak ditë pas rikthimit në kabinetin qeveritar, Peleshi pranon se gjatë ushtrimit të detyrës së ministrit nuk do të lërë pas edhe angazhimet e tij politike.
“Nuk do të ketë asnjëherë lidhje dhe ndërprerje të punës në përmbushje të misionit dhe të detyrës si ministër i Mbrojtjes me interesat e tjera politike. Interesat politike janë legjitime.”
Sipas ministrit të Mbrojtjes, kryeministri Rama e meriton një mandat të tretë pas një performance shumë të mirë sipas tij të qeverisë dhe mbajtes së premtimeve elektorale.
“Unë e besoj edhe qytetarisht që PS-ja, kryeministri Rama, meriton një mandat të tretë. Nuk flasim këtu për perfeksion, nuk flasim për tejkalime si njëherë e një kohë, të ambicieve apo të premtimeve. Flasim për një performancë shumë të mirë të kabinetit qeveritar, për përmbushje të premtimeve elektorale.”
Ai shktoi më tej duke thënë se një mandat i tretë do të jetë në të mirë të shqiptarëve dhe Shqipërisë.
“Unë jam i bindur që PS-ja, qeveria e buruar prej votës për PS-në, kryeministri Rama, e meriton për të mirën e vendit, për të mirën e qytetarëve dhe pastaj për të mirën politike të forcës sonë, por për të mirën e qytetarëve meriton të ketë një mandat të tretë”.