Pas Kontrollit të Lartë të Shtetit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nisur verifikimet për dokumentet e dyshimta të nipit të deputetit socialist Sadri Abazi.
Në përgjigje të interesimit të “Hashtag.al”, ministria bëri me dije nëpërmjet një emaili se po verifikojnë dokumentet e dyshimta të kompanisë së Arbër Abazit “Alko-Impex General Construction”.
Përgjigja e plotë e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë:
“Në vijim të interesimit tuaj pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, referuar disa artikujve të publikuar në media për shoqërinë Alko-Impex General Construction, sqarojmë sa vijon:
Rezulton se dy shoqëri kanë paraqitur pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë kërkesë për heqjen e licencës së shoqërisë “ALKO-IMPEX General Construction” shpk (kërkesa të protokolluara në MIE me nr.207 prot., datë 30.03.2018, nr. 220 prot, datë 03.04.2018, nr.207/1 prot., datë 12.04.2018). Kërkuesit pretendojnë se shoqëria “ALKO-IMPEX General Construction” ka përfituar licencë në fushën e zbatimit në ndërtim, duke paraqitur dokument të rremë për inxhinierin Bekim Mehmet Selmani.
Në referencë të ankesave të paraqitura nga dy shoqëritë e mësipërme, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, në zbatim të dispozitave të rregullores së licencimit të shoqërive që kryejnë punime në fushën e ndërtimit, po kryen procedurën e kërkimit të konfirmimit për vërtetësinë e dokumentacionit për këtë drejtues teknik. Rezultati do t’i bëhet i ditur më pas Komisionit të Posaçëm të dhënies së Licencave në fushën e Zbatimit të Punimeve të Ndërtimit dhe do të veprohet më tej në përputhje me përcaktimet ligjore në rast të konstatimit të një shkeljeje të mundshme.
Referuar pyetjes suaj lidhur me procedurat e prokurimit që mund të kryhen nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ju sqarojmë se bazuar në Legjislacionin e Prokurimeve Publike dhe atë të Koncesioneve si dhe të PPP-ve, MIE në cilësinë e Autoritetit Kontraktor i zhvillon procedurat e tenderave në fushën e përgjegjësisë së vet, të hapura, dhe në platformën elektronike të Agjencisë së Prokurimit Publik, në të cilat ftohen të marrin pjesë të gjithë operatorët ekonomik të cilët nuk janë përjashtuar nga kjo e fundit për arsye të parashikuara në legjislacionin e Prokurimit Publik.”
Në media u ekspozuan dokumente që vërtetojnë se një kompani e quajtur “Alko-Impex Construction shpk”, e drejtuar nga nipi i deputetit socialist Sadri Abazi, ka operuar në tendera me letra të falsifikuara duke shkelur në mënyrë arbitrare ligjin dhe garën.
Kjo kompani nisi të fitonte një zinxhir tenderash të rëndësishëm, fill pasi deputeti Abazi hoqi dorë nga të drejtat mbi kompaninë e tij Usluga, për shkak të konfliktit të interesit si deputet. Dokumentet tregojnë si kjo kompani ka falsifikuar CV-të e inxhinierëve të saj dhe kontratat garantuese.
Kontrolli i Lartë i Shtetit nisi verifikimet ndërkohë që në veprim është edhe Prokuroria e Elbasanit, e cila ka nisur procedim penal për falsifikim.
Ky artikull është shkruar nga Hashtag.al.