Shqipëria nuk rrezikohet nga stuhia e reshjeve që përfshiu veriun e Europës Qendrore ku shkaktoi edhe mbi 100 viktima.
Gjatë 5 ditëve të ardhshme në Shqipëri parashikohet mot me reshje dhe shtrëngata por ato nuk do të jenë të ngjashme me situatën në vendet e Europës, thotë Ministria e Mbrojtjes në një njoftim në media.
Reshjet e shiut dhe shkarkesat elektrike priten kryesisht në zonat malore në veri vendit.
Ministria thotë se është vënë në gatishmëri me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile në rast përmbytjesh.
“Kujtojmë edhe njëherë që në vendin tonë kushtet e motit të parashikuara gjatë javës nuk do të kenë pasoja negative të përmasave madhore”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Rajonet e Gjermanisë Perëndimore, verilindja e Belgjikës dhe jugu i Holandës janë goditur nga reshjet më të mëdha prej dekadash gjatë ditëve të fundit duke shkaktuar përmbytje të cilat i kanë marrë jetën mbi 100 personave ndërsa mbi 1 mijë janë ende të zhdukur.