Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj deklaroi se i ka kërkuar Këshillit të Lartë Gjyqësor të marrë masa për gjyqtaren e Elbasanit, Enkeleda Kapedani që kur ajo liroi nga burgu Viktor Ymerin, pjesë e bandës së Gaxhait.
Përmes një postimi në rrjete në sociale, Gjonaj i quan të pakomentueshme videot e gjyqtares Kapedani.
“Tani uroj që jo vetëm të merret masa e duhur, por edhe të hetohet në mënyrë të thelluar gjendja pasurore e kësaj gjyqtareje. Tipike për një pjesë të atyre që nuk kanë kaluar ende Vetingun dhe vijojnë të gërryejnë drejtësinë nga brenda! Reforma nuk do ndalet dhe kush e ka turpëruar drejtësinë do të përballet me të deri në fund”, shprehet ajo.
Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë ka nisur hetimin për kryetaren e Gjykatës së Elbasanit për shkak të videove në Tik Tok, të hënën.
Enkelejda Kapedani postonte video me veshje të shtrenja duke bërë sfilatë në ambjentet e gjykatës, në rrjetet sociale. Videot u publikuan në disa portale në vend.
Ajo u emërua në krye të gjykatës së Elbasanit më 30 shtator 2020, pas dorëheqjes së Zihni Shahut, me votim nga gjyqtarët e Elbasanit.