Është akoma atmosferë dimri kështu që kjo pjatë ka akoma vendin e vet në tavolinën tonë. Është një nga recetat e preferuara. Një recetë që në bazë bëhet me mish viçi por JaMystic iu propozon recetën e adaptuar.
Mish derri me verë
Për 4 persona:
- 1 ½ kg mish derri (kofshë e një derri të vogël),
- 2 thelpinj hudhre,
- tufë me erëza (dy degë trumzë, dy degë rozmarinë, dy gjethe dafinë, disa degë majdanoz),
- 4 qepë të thata,
- 2 karrota,
- 1 lugë rrush të thatë,
- 1 shishe vere të kuqe (Merlot),
- vaj ulliri.
Skuqim në një tenxhere mishin e derrit duke e kthyer nga të gjitha anët deri sa të marrë ngjyrë të kuqërremtë. Shtojmë aty qepët, hudhrat dhe karrotat dhe i skuqim bashkë me mishin deri sa të marrin ngjyrë .
I shuajmë me verë (3/4 e shishes). I hedhim kripë (ose një kubik vegeta). Të gjitha erëzat e lidhura me një fill kuzhine ose pe në mënyrë që gjethet e rozmarinës të mos shpërndahen.
E lëmë në zjarr të avashtë për 4-5 orë në këtë mënyrë mishi do të bëhet shumë i shkrifët. 30 minuta para se ta heqim, i hedhim rrushin e thatë.
JaMystic këshillon: Kjo recetë shoqërohet shumë mirë me oriz të zier ose patate të ziera.