Gazeta gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung ka publikuar disa statistika, të cilat flasin për zbrazjen dramatike të Shqipërisë, në vitet e fundit, nga personeli mjekësor.
Gazeta Koha ka publikuar pikat kryesore të raportit të së martës në lidhje me Shqipërinë:
– Shqipëria ka numrin më të ulët të mjekëve dhe infermierëve për banorë në Europë;
– Në vitin 2010, vetëm 7 për qind e mjekëve shqiptarë punonin jashtë vendit. Në vitin 2019 kjo shifër ishte rritur në 18 për qind;
– Në fund të vitit 2019 në Gjermani punonin 765 mjekë me shtetësi shqiptare – 21 për qind më shumë se vitin e mëparshëm. Pas Shqipërisë për numrin më të lartë të mjekëve në Gjermani renditen Serbia, Kosova, Maqedonia e Veriut, Bosnja;
– Për të përballuar ikjen masive të mjekëve vendet si Rumania, Serbia, Kroacia, Sllovenia, Sllovakia kanë marrë masa dhe po arsimojnë më shumë mjekë dhe infermierë për 100 mijë banorë, në krahasim me mesataren e vendeve të BE-së. Lidhur me këto nisma, Shqipëria dhe Kosova nuk përmenden në raportin e gazetës gjermane;
– Rrogat e personelit mjekësor në Ballkan janë sa një e treta më të ulëta se mesatarja e BE-së.