Një grup mjekësh shqiptarë nga Shqipëria, Gjermania, Zvicra, Franca dhe Italia bënë thirrje të dielën për kontribute financiare për kurimin e doktor Drini Dobit nga Covid-19.
Pas lajmit për gjendjen e tij të përkeqësuar dhe thirrjes së disa kolegëve dhe gazetarëve për kontribute, ky grup mjekësh ka hapur një llogari online për kontribute për kurimin e doktor Dobit.
Brenda pak orësh nga mbrëmja e së dielës, rreth tetëdhjetë persona kanë dhuruar rreth 7.000 euro, një nisje shumë inkurajuese për arritjen e qëllimit të vënë prej 50.000 eurosh.
Drini Dobi është njëri ndër mjekët neurologë më të mirë në Shqipëri. Ai ka punuar për më tepër se dy dekada në QSUT dhe prej dy vitesh drejton Shërbimin Neurovaskular aty.
Doktor Dobi u dërgua në Itali para pak ditësh, pas rëndimit të shëndetit në spitalin publik. Miqtë e tij mblodhën të holla për transportin dhe ditët e para në spital.
Mjekët italianë kanë ngjallur shpresat se doktor Dobi mund të shpëtojë, nëse i sigurohet trajtimi dhe qëndrimi në spital për disa javë.
Një grup kolegësh të tij kanë hapur edhe një llogari bankare me të dhënat e mëpoashtme, ku gjithkush mund të kontribuojë:
Emri i Përfituesit: Florida Dobi
Numri i Llogarisë: 00000512292
IBAN: AL74 2121 1401 0000 0000 0051 2292
Emri i Bankës: CREDINS BANK
Swift: CDISALTR
Për shumë njerëz është më e lehtë kontributi përmes internetit, që mund të bëhet në pak sekonda te llogaria e hapur të dielën në mbrëmje nga grupi i mjekëve rezidentë jashtë Shqipërisë.
Atë mund ta gjeni në këtë lidhje: Llogaria Go Fund Me për Doktor Drini Dobin.