Qeveria shqiptarë nuk duhet të presë për vaksina me efikasitet mbi 90% por duhet të synojë vaksinimin e sa më shumë personave sa më shpejtë.
Kështu u shpreh për emisionin “Me Pak Fjalë”, zv.presidenti i shoqatës mjekësore shqiptaro-amerikane, Agron Ismaili i cili është mjek në Florida të SHBA.
Ai konsideroi vaksinën si masën e vetme që mund të zgjidhë situatën e pandemisë në botë.
Shqipëria ka vaksinuar aktualisht rreth 15 mijë persona me të paktën një dozë. Ata janë personel shëndetësor dhe të moshuar në shtëpi kujdesi.
“Numri i infektimeve në SHBA nisi të bjerë kur filluam vaksinimin e stafit mjekësor, të pacientëve që qendrat e të moshuarve dhe të pacientëve të moshuar”, tha Ismaili.
Ky fakt mbetet ende për t’u parë në Shqipëri ku infektimet gjatë dy muajve të parë të vitit kanë qenë nga më të lartat.
Aktualisht Shqipëria ka marrë vetëm vaksina të kompanisë Pfizer, e cila ka efikasitet mbi 90%. Por pritet që gjatë muajve mars-prill të mbërrijnë dozat e para të vaksinës AstraZeneca.
Shqipëria nga ana tjetër nuk ka konsideruar blerjen e vaksinave të prodhuara nga kompani ruse dhe kineze pasi këto vaksina ende nuk kanë marrë aprovim nga agjencitë rregullatore të SHBA dhe BE-së. Nga studimet e publikuara deri tani këto dy vaksina kanë efikasitet midis 60-90%.
Mjeku Ismaili sqaroi se vendimi për të marrë vaksinën ruse ose kineze i takon shtetit pasi të jetë konsultuar me autoritetet rregullatore vendase të cilat verifikojnë sigurinë e vaksinës.
“Mendimi im është që nuk duhet pritur për vaksina me efikasitetin më të lartë, që të jep 90% përshembull, por duhet vaksinuar popullsia sa më shpejtë të jetë e mundur me vaksina që japin mbrojtje”, deklaroi ai.
Mjeku shtoi se ‘vaksinimi masiv duhet të nisë sa më shpejtë të jetë e mundur”.