Moda e sondazheve të rreme të Facebook-ut në emisionet televizive

Nga Adri Nurellari
Moda e sondazheve të rreme të Facebook-ut në emisionet televizive

Kohëve të fundit, është bërë një modë masive në mediat shqiptare në Shqipëri e Kosovë që të të improvizohen sondazhe me Facebook të cilat mandej shiten sikur të ishin matëse të “sakta” të opinionit publik.

Problemi i sondazheve që bëhen në Facebook nëpërmjet internetit është se këto anketa në shumicën e rasteve janë mashtrime, të cilat jo vetëm nuk pasqyrojnë opinionin real të publikut, por përkundrazi, e manipulojnë dhe e deformojnë opinionin publik.

Anketuesit profesionistë përdorin metoda shkencore të sprovuara e të sofistikuara statistikore për t’u siguruar që mostrat e tyre të vogla të personave të përzgjedhur për t’u intervistuar në sondazh janë të përzgjedhura në mënyrë rastësore e përfaqësuese dhe janë demografikisht të përshtatshme për të treguar me një saktësi shumë të madhe se çfarë mendojnë grupe më të mëdha të njerëzve. Kjo gjë nuk ndodh në sondazhet online në facebook që po raportohen dita ditës në televizionet shqiptare.

Qëllimi kryesor i një sondazhi është të nxjerrë përfundime përgjithësuese në lidhje me popullsinë në tërësi jo thjesht për ata persona që janë përfshirë. Në këto pseudo-sondazhe online që po bëhen masivisht në Facebook dhe raportohen në televizione, nuk është aspak e mundur që të përgjithësohet rezultati e të përdoret për të gjithë vendin sepse nuk përputhen me asnjë parametër shkencor. Ato vuajnë nga i njëjti problem rrënjësorë, të anketuarit janë të vetë-përzgjedhur.

Në emisionet televizive që kërkojnë nga qytetarët të klikojnë në facebook për të zgjedhur një përgjigje ndaj një pyetje të caktuar, janë individët ata që zgjedhin veten për të marrë apo jo pjesë. Pra nuk kemi një anketues profesionist i cili përzgjedh një mostër rastësore e përfaqësuese të saktë me individë që duhet të intervistohen.

Për më tepër që në kushtet e anonimatit të internetit është e vështirë që prej këtyre anketave në facebook të kuptojmë se kush votoi (votë autentike e personave real apo të gjeneruara në mënyrë automatike robotike artificiale) apo apo sa herë ka votuar një person (dmth. mund të ketë “mbushje të kutive” në internet).

Po ashtu është e rëndësishme të thuhet se numri i i personave që votojnë në këto sondazhe  online në facebook nuk janë aspak provë që dëshmon për vërtetësinë dhe besueshmërinë e tyre. Numrat e mëdhenj me të cilët po krekosen mediat për të thurur iluzionin e saktësisë së anketave të tyre, nuk do të thonë asgjë dhe nuk janë aspak garanci e rigorozitetit apo cilësisë së një sondazhi.

Për ta ilustruar këtë gjë mangësi por edhe problemet kryesore që ndodhin me sondazhet në rrjetet sociale, vlen të përmendet rasti më i famshëm i dështimit masiv të sondazhit të revistës Literary Digest në vitin 1936 e cila përdori  kur përdori një mostër jo-shkencore e  prej 2.27 milionë të intervistuarish.

Bëhej fjalë për vitin e 7-të të Krizës së Madhe kur Roosvelt kishte marrë reforma radikale në kuadër të “Neë Deal” dhe po bëhej gati për të garuar për rizgjedhje kundër republikanit Alf Landon.  Literary Digest, që asokohe ishte një revistë javore me qarkullim e ndikim shumë të madh, bëri një sondazh bazuar mbi kampion prej 2.7 milionë njerëzve të përmbledhur prej regjistrave të telefonave dhe makinave.  Rezultati i kësaj ankete të bërë nga revista në fjale ishte që që Landon do të fitonte në një rezultat bindës prej 57% të votave popullore. Mirëpo realiteti doli të ishte krejt tjetër gjë.

Në zgjedhjet aktuale, faktikisht Roosevelt mori 60.8%  të votave kundrejt 36.5% të votave që u dhanë për Landon. Kjo ishte përqindja e dytë më e madhe e votave popullore të fituara në historinë e demokracisë amerikane ( përqindja më e lartë e votës popullore ka shkuar për Lyndon Johnson në 1964 me 61.1%  ).

Paralelisht Instituti Amerikan i Opinionit Publik i George Gallup bëri një anketë goxha të saktë për të parashikuar rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të 1936 me shumë më pak të intervistuar se sa revista Literary Digest. Me një mostër shkencore sprej 50,000  sondazhi i fundit i Gallup para zgjedhjeve parashikoi që Roosevelt do të merrte 56% të votave popullore.

Sondazhi i Literary Digest dështoi kryesisht si pasojë e dy gabimeve trashanike apo njëanshmërive. Njëanshmëria e parë ishte ishte  në procesin e përzgjedhjes së emrave të pjesëmarrësve ku mostra ishte e njëanshme. Pra emrat e listave të pajtimtarëve të revistës, të numratorëve të telefonit apo regjistrimit të makinës kanë tendencën t’i përkasi një shtrese më të pasur të shoqërisë që mund t’ia lejonin vetes asokohe që të blinin revista, makina apo të kishin telefon. Në këtë mënyrë ishin përjashtuar votuesit me të ardhura më të ulëta të cilët vështirë se mund të kishin mjaftueshëm të ardhura për të bërë pjesë në listat e mësipërme.

Përkthyer në rastin e sondazheve që po organizohen rëndom sot nga emisione të ndryshme televizive nëpërmjet facebook-ut, i bie që një numër i madh i njërëzve as nuk po e ndjekin emisionin në fjalë. Ndërkohë që po e ndjekin vetëm ata që janë të zellshëm apo të apasionuar ndaj emisionit, temës specifike që po trajtohet në të apo mysafirit, duke lënë përjashta një shumicë të heshtur që s’ka kurrfarë interesi.

Për ta thënë pak më thjeshtë  nëse shikohet një emision gatimi apo telenovelë dhe moderatori shtron një pyetje për t’u votuar në facebook, është e vështirë që për të votojnë në  meshkujt për të, sepse zakonisht nuk janë audienca tipike për kësilloj emisionesh. Anasjelltazi, nuk mund të pritet që të votojnë shumë femra për anketa që zhvillohen nga emisione për futbollin.

Problemi i dytë me sondazhin Literary Digest kishte të bënte me anësinë e të anketuarve që pranonin të përgjigjeshin. Faktikisht revista kishte një listë me 10 milion persona por nga ata vetëm rreth 2.27 milionë iu përgjigjën sondazhit. Kështu që madhësia e kampionit ishte rreth një e katërta e asaj që ishte menduar fillimisht.

Pra një shumica dërrmuese e kampionit heshti, refuzoi të përgjigjej por kjo nuk do të thotë që ata nuk kanë një opinion të tyre dhe as që nuk do të shkonin të votonin.

Përshtatur me realitetin tonë, mund të ketë shumë ndjekës të emisionit që nuk e marrin mundimin që të përfshihen në anketa. Për rrjedhojë përgjigje japin ose ata që janë shumë partizan pro, ose ata që janë shumë kundër. Ndërkohë që shumë shikues, që përbëjnë shumicën e heshtur,  ngelen shikues.

Rasti më ilustrativ qe protesta në Kosovë ndaj rënies së qeverisë duke dalë në ballkon e bërë zhurmë me enët e kuzhinës. Shumica e heshtur as që doli në ballkon por zhurma e enëve ishte tepër e madhe e kumboi në gjithë qytetin duke shkaktuar ndotje akustike. Enët sa më bosh të jenë aq më shumë zhurmë bëjnë por nuk përfaqësojnë shoqërinë. E njëjtë është edhe zhurma në rrjete sociale, që nuk është detyrimisht indikator i shumicës së popullit

Situata është bërë veçanërisht e rëndë për shkak se gazetarët apo moderatorët e emisioneve televziive nuk janë të trajnuar për të kuptuar dhe vlerësuar siç duhet sondazhet. Për rrjedhojë është bërë shumë masive tendenca për të raportuar e mbrojtur me bindje në publik si “fakte të vërteta” ato që faktikisht janë të dhëna të pasakta.

Prandaj ëshë e nevojshme që për mos t’u akuzuar për paaftësi, manipulim apo shpifje, gazetarët të njohin disa elemente bazë për metodologjinë shkencore të sondazhëve në mënyrë që të verifikojnë paraprakisht saktësinë, paanshmërinë e rigorozitetin e tyre.

Për këtë arsye është e nevojshme që përpara se të raportohen në media, të bëhen disa pyetje thelbësore për të filtruar sondazhet.  Kështu për shembull me shumë rëndësi është të pyetet kush e ka bërë sondazhin. Pra a bëhet fjalë për ndonjë organizatë politike, akademike, amtar apo ekspert, grup interesi apo kompani profesionale etj.

Duhet të dihet se kush e ka financuar për të parë besueshmërinë. Pra a ka ndonjë palë që ka leverdi prej rezultateve që bëhen publike. Sikurse për shembull ka qenë rasti i anketave të Ubo Consulting ne Kosovë të financuara nga Lëvizja Vetëvendosje.  Për të kuptuar nivelin e profesionalizmit të anketës është e rëndësishme të pyetet si është bërë përzgjedhja e të investuarave. Pra për të parë saktësinë, a është apo jo kampionimi rastësor dhe përfaqësues.

Një tjetër pyetje që shërben për të kuptuar shkallën seriozitetit e  është se si është kryer anketa. A janë bërë intervistimet ballë për ballë, përmes telefonit, në vende publike apo në shtëpi? Metoda e mbledhjes së informacionit mund të ndikojë se kush merr pjesë si i intervistuar dhe se si njerëzit i përgjigjen pyetjeve.

Domethënë shtë më e lehtë që të manipulohen sondazhet në internet në kuadër të anonimatit të rrjetit, sesa kur intervistat bëhen ballë për ballë sepse i intervistuari nuk mund të gënjejë lehtë. Për shembull kur është ballë për ballë një djalë i ri nuk mund të thojë që është pensionistë se intervistuesi e sheh vetë me sytë e tij.

Një tjetër element që ia vlen të pyetet është marzhi i gabimit. Ky indikator tregon se sa afër janë përgjigjet e kampionit të përzgjedhur përkundrejt pikëpamjet e popullatës së përfaqësuar në anketë. Mirë është të shqyrtohen pyetjet e pyetësorit për të parë a janë apo jo pyetje manipuluese e orientuese ose a janë në renditjen e duhur të natyrshme.

Po ashtu mirë është të dihen a patën apo jo shpërblim material të intervistuarit? Ka raste kur persona që janë pjesë e mostrës së anketës refuzojnë të flasin pa pagese ose ndihen të obliguar prej pagesës që të përgjigjen medoemos për çdo pyetje pavarësisht se mund të jenë në mëdyshje për ndonjërën.

Lista e pyetjeve që duhen ngritur apo indikatorëve të cilësisë, profesionalizmit e besueshmërisë së një ankete zgjatet akoma më shumë por me rëndësi është të kuptohet e thuhet se anketat në facebook të cilat po përdoren nga televizionet shqiptare japin rezultate të rreme që nuk përfaqësojnë opinionin publik.

Po ashtu është e rëndësishme të thuhet se sondazhet profesionale e të sakta janë të dobishëm për shoqërinë demokratike, sepse shërbejnë si urë komunikimi mes qytetarëve dhe vendim-marrësve apo si barometër për të kuptuar vullnetin e popullit dita ditës e jo vetëm nëjherë në disa vjetë për zgjedhje.

Prandaj është e nevojshme që të shmanget përhapja në televizion i këtyre sondazheve amatore  të pasakta të bëra në facebook sepse në sytë e opinionit publik, ato njollosin e diskreditojnë dhe delegjitimojnë tërësisht sondazhet e sakta të bëra me rigorozitet shkencor.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>