Moti i keq me temperatura të ulëta dhe reshje dëbore po përfshin ngadalë të gjithë vendin.
Situata më e vështirë është në qarkun e Gjirokastrës, ku në aksin rrugor Ura e Leklit – Përmet, një masiv shkëmbinjsh ka rrëshqitur dhe ka bllokuar rrugën. Nga rrëshqitja është dëmtuar dhe armatura mbajtëse. Rruga momentalisht po funksionon vetëm me një kalim.
Në aksin rrugor Tepelenë-Gjirokastër, po ashtu, ka pasur rrëshqitje dherash në zonën e njohur si Uji i Ftohtë.
Në Qafën e Llogarasë reshjet e dëborës kanë vazhduar gjatë gjithë natës. Ky aks kalohet vetëm nga automjete të pajisura me zinxhirë.
Po ashtu në Qafë Plloçë, Qafë Thanë dhe Qafën e Qarrit qarkullimi i makinave bëhet vetëm me zinxhirë.
Në qarkun e Korçës disa zonë të thella të Devollit, Kolonjës e Pogradecit janë izoluar nga reshjet e shumta të dëborës.
Një fenomen jo i zakonshëm ka ndodhur dhe në Lezhë, ku pas tetë vitesh ka rënë dëborë për herë të parë.
Në Rrugën e Kombit po ashtu ka pasur reshje dëbore, por deri më tani nuk ka pasur probleme.
Në qarkun e Dibrës, fshatrat e Lurës, Selishtës, Trebishtës dhe Kalasë së Dodës janë bllokuar nga dëbora.
Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit ka parashikuar se temperaturat e ulëta dhe reshjet do të vazhdojnë dhe gjatë ditëve të para të javës. Nga e enjtja e në vazhdim parashikohet ngritje e temperaturave.