Mund të duhen javë për të zhbllokuar kanalin e Suezit nga një anije e madhe kontejnerësh, tha kompania e shpëtimit për Reuters.
Ndërkohë, zyrtarët kanë ndaluar çdo anije të hyjë në kanal, në një tjetër pengesë për tregëtinë botërore.
Anija Evrgreen është 400 metra e gjatë, dhe po bllokon tranzitin në të dy drejtimet e Suezit.
Bëhet fjale për një prej kanaleve më të ngarkuara të transportit në botë për naftë dhe karburante të rafinuara, drithëra dhe tregti të tjera që lidhin Azinë dhe Evropën.
Të enjten vonë, pastruesit ende po punonin për të hequr mijëra ton rërë nga direku i anijes.
Autoriteti i Kanalit të Suezit (SCA) deklaroi më herët se nëntë rimorkio po punonin për të lëvizur anijen.
Mes erërave të forta dhe një stuhie pluhurie të martën, ajo u mbërthye në mënyrë diagonale nëpër shtrirjen jugore të kanalit.
“Nuk mund të përjashtojmë se mund të duhen javë, në varësi të situatës,” i tha Peter Berdoëski, CEO i kompanisë hollandeze Boskalis, një nga dy ekipet e shpëtimit që përpiqen të lirojnë anijen, i tha programit televiziv “Nieuësuur”.
Janë 206 anije të mëdha me kontejnerë apo cisterna që transportojnë naftë e gaz dhe anije që transportojnë drithëra, të cilat janë ankoruar në të dy skajet e kanalit.
Sipas të dhënave të gjurmimit, është krijuar një nga bllokimet më të këqija të transportit në vitet e fundit.
Bllokimi vjen pas rënies në volumin e tregtisë botërore të shkaktuar vitin e kaluar nga COVID-19, që ka njohur nivele të larta të anulimit të ngarkesave, mungesës së kontejnerëve dhe ngadalësim të trajtimit në porte.
Linja numër një në botë A.P. Moller Maersk tha se po konsideronte devijimin e anijeve rreth Kepit të Shpresës së Mirë të Afrikës, duke shtuar pesë deri në gjashtë ditë udhëtimin midis Azisë dhe Evropës.
Ai tha se ngarkesat urgjente mund të dërgoheshin në trena dhe aeroplanë, por ende nuk ishin marrë vendime.
Pronari i anijeve japoneze Shoei Kisen kërkoi falje për incidentin dhe tha se puna për lirimin e anijes, e cila po drejtohej drejt Evropës nga Kina, “ka qenë jashtëzakonisht e vështirë” dhe nuk ishte e qartë kur do të notonte përsëri anija .
Një zyrtar tjetër me njohuri të operacionit tha se kishte gjasa të duheshin ditë.
“Nëse përfundon në skenarin që duhet të hiqet ngarkesa, atëherë po shikoni një operacion që kërkon kohë,” tha ai, duke mos pranuar të përmendet emri.
Një baticë e lartë që pritet të dielën mund të ndihmojë përpjekjet e shpëtimit.