Naftëtarët e Ballshit nuk pranojnë të dalin nga greva e urisë, nëse nuk kanë një marrëveshje të shkruar me qeverinë dhe kompaninë menaxhuese për të marrë pagat e prapambetura.
Pas ftesës publike të kryeministrit Rama për bisedime, naftëtarët u shprehën se do të dalin nga greva, vetëm nëse ka një zgjidhje konkrete për to. Naftëtarët thanë se kanë të drejtë të jenë mosbesues sepse janë gënjyer vazhdimisht nga qeveria dhe kompania menaxhuese:
“Të na japë një letër, të na hedhë në bankë rrogat tona që kemi fituar me gjyq, pastaj ulemi e negociojmë. Ai gënjen gjithmonë është bërë si “nastradini”.
Ta harrojë kryeministri që të ndalim grevën ne, po nuk erdhi këtu. Nuk i besojmë, të gjitha mashtrime. Janë bërë të gjithë të pabesueshëm. Ai dhe Balluku të vijnë. S’ka reaguar fare, pse ky është reagimi?! Të dalim nga greva?!”
Duke iu përgjigjur deklaratës së Ramës se ultimatumet e presionet e naftëtarëve nuk ndihmojnë, ata u shprehën se nuk bëjnë presione, por situata e tyre është vërtetë shqetësuese, me rrogat e më shumë se një viti të pamarra.
Pak minuta më parë,Rama i ka bërë thirrje naftëtarëve që prej 22 ditësh janë në grevë urie, të ndërpresin grevën dhe të ulen në bisedime me të.