
Naftëtarët e Ballshit, prej 15 ditësh në grevë urie, kanë kërcënuar se nëse qeveria e kompania menaxhuese nuk i përgjigjet kërkesave të tyre, të martën do të hyjnë me forcë në rafineri.
Gjendja shëndetësore e naftëtarëve është përkeqsuar ndjeshëm, por ato shprehen të vendosur për të vazhduar me grevën, si e vetmja mundësi për të marrë rrogat e prapambetura të më shumë se një viti.
Naftëtarët i kanë bërë thirrje për takim deputetit të zonës Ismet Beqiri, i cili më parë ka qenë dhe drejtor i Uzinës së Ballshit dhe i njeh problematikat e këtij komuniteti. Por Beqiri megjithëse ka qenë dje në Ballsh për takime elektorale, ka refuzuar t’i takojë naftëtarët.
Ata i kanë bërë apel në mënyrë të përsëritur dhe kryeminitrit Rama që të gjejë sa më parë një zgjidhje për të detyruar kompaninë të paguajë pagat e prapambetura ndaj naftëtarëve.
Por kryeministri Rama hoqi çdo përgjegjësi nga qeveria për mosmarrjen e pagave të naftëtarëve të Ballshit. Në konferencën për shtyp, të martën Kryeministri e quajti të panevojshme grevën e urisë së naftëtarëve sepse ‘gjërat mund të zgjidhen me dialog’ sipas tij.