Napoli po punon për të transferuar nga Verona përveç marokenit Nordin Amrabat edhe dyshen e shqiptarëve Amir Rrahmanin dhe Marash Kumbullën.
Mediat italiane raportojnë se prej më shumë se dy javëve drejtuesit sportiv të të dyja klubeve po diskutojnë rreth mundësive për ta konkretizuar këtë ide.
Corriere Dello Sport raportoi se për Amrabat dhe Rrahmanin është gjetur dakordësia, ndërsa në diskutim mbeten shërbimet e Kumbullës.
Amir Rrahmani përflitet që prej muajit dhjetor rreth një kalimi te Napoli, ndërsa për Kumbullën interesimi është i kohëve të fundit edhe pse klubi thuhet se e ka vëzhguar atë në disa ndeshje.
Rrahmani, 25-vjeç, ish-mbrojtës i Partizanit, vlerësohet diku te 12 milionë euro. Shtypi sportiv e ka lavdëruar për sezonin që ka zhvilluar me Veronën ku ka fituar më shumë se 50 dyluftime në ajër.
Për sa i përket Kumbullës gjërat duken disi më të komplikuara. Për 19-vjeçarin, gjithashtu të lavdëruar për zotësi në duelet në ajër dhe dyluftimet për topin, ka kohë që kanë shfaqur interes edhe klube të tjera si Inter, Juventus apo dhe skuadra angleze.
Corriere dello Sport raportoi se drejtuesit e të dyja skuadrave nuk kanë konkretizuar gjë për 3 lojtarët – së bashku dhe për Amrabat – por momentalisht janë ndalur duke diskutuar shifrat. Kumbulla vlerësohet rreth 20 milionë euro.