Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg ka përshendetur vendimin e Gjykatës së Hagës për dënimin me burgim të përjetshëm për Ratko Mlladic, përgjegjësin për masakrën e Srebrenicës në vitet 1992-1995.
“Unë e mirëpres vendimin përfundimtar të çështjes kundër Ratko Mlladiç për krime të rënda, duke përfshirë Masakrën e Srebrenicës. NATO ndihmoi në përfundimin e dy luftërave etnike në Ballkanin Perëndimor dhe mbetet e përkushtuar ndaj stabilitetit, paqes dhe qendrueshmërisë në rajon”, shkroi në Twitter, më 8 qershor, Stoltenberg.
Vendimi u përshendet edhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, i cili e quajti “historik” vendimin e Tribunalit të Hagës:
“Ky gjykim historik tregon se ata që kryejnë krime të tmerrshme do të mbajnë përgjegjësi. Vendimi gjithashtu fuqizon vendosmërinë tonë të përbashkët për të parandaluar ndodhjen e mizorive të ardhshme kudo në botë”.
Përfaqësuesi i Lartë i BE në politikën e jashtme, Josep Borrell dhe Komisioneri për Zgjerimin, Olivér Várhelyi dolën me një deklaratë të përbashkët për këtë ngjarje.
Sipas tyre, vendimi ndaj Mladiç duhet t’i shërbejë edhe palëve politike në Bosnjë për të kapërcyer trashëgiminë e luftës dhe për të ndërtuar paqen e qëndrueshme.
Por vendimi i Hagës duket se nuk ka sjellë reflektim për palën serbe në Bosnje e cila e ka kundërshtuar atë.
Lideri serb boshnjak Milorad Dodik, i cili aktualisht po kryeson presidencën e Bosnjës, kritikoi gjykimin si të padrejtë, duke thënë se Gjykata ishte i njëanshme kundër serbëve dhe vendimet e saj minojnë besimin në drejtësinë ndërkombëtare.“Është e qartë për ne se ka një përpjekje këtu për të krijuar një mit rreth gjenocidit në Srebrenicë i cili nuk ka ndodhur kurrë,” tha Dodik, raporton Reuters.
Kundër vendimit të Tribunalit është shprehur edhe djali i Ratko Mlladiç i cili ka shërbyer në forcat ushtarake serbe gjatë luftës në Bosnje.