Ndërsa Tirana sheh se si njëra pas tjetrës ndërtesat historike rrënohen për të bërë vend kullave të larta prej betoni, një projekt pilot i nisur nga arkitektja Jora Kasapi është duke u përpjekur të ruajë kujtesën arkitekturore të qytetit.
Projekti ka për qëllim të jetë një burim i përbashkët për dijen e qytetarëve për ndërtesat e vjetëruara të Tiranës, në një kohë kur institucionet vendore dhe qeveria duken të paafta ose nuk dëshirojnë ta ofrojnë atë. Ai synon të riaktivizojë kujtesën kolektive të komunitetit për Tiranën dhe ri-përvetësimin e qytetit nga banorët e tij.
Si pjesë e projektit është krijimi i një baze të dhënash për t’u mbushur me hulumtime teorike, intervista etnografike dhe hartografim dhe fotografim të punimeve në terren.
Samiti Botëror i Çmimeve për Qytetet Smart dhe zhvillimin urban e shpalli fitues projektin, i cili përfaqësonte Shqipërinë. Si një projekt pilot, ai është hartuar për tu zbatuar edhe në qytetet e tjera të rajonit.